24-11-2024

Prizren: Rrahje mes punëtorëve të një marketi, 56-vjeçari dërgohet në QKUK në gjendje të rëndë

Konfliktet në vendet e punës janë incidente goxha të shpeshta që ndodhin në biznese të ndryshme në Kosovë. Mosmarrëveshjet për punë shpesh eskalojnë edhe në kanosje e përleshje dhe për pasojë përfundojnë si raste në Polici. Kështu po dyshohet se ka ndodhur edhe të dielën në “My Market” në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se këtë herë në rast janë përfshirë dy persona, punëtorë të këtij market, të cilët janë përfshirë në një përleshje pas një zënke që dyshohet se kanë pasur lidhur me punën.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për të dyshuarit S.Bajrami dhe F.Halimi, të cilët po dyshohen se janë rrahur me njëri-tjetrin, ashtu që për pasojë i dyshuari i dytë ka marrë lëndime të rënda trupore.

Kjo situatë alarmoi menaxherin e marketit dhe rasti u denoncua menjëherë në Polici, me ç’rast i dyshuari i parë është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin. Kurse i dyshuari tjetër është dërguar në QKUK për shkak të gjendjes serioze shëndetësore.

Ndaj të dyshuarit S.Bajrami, Prokurori i Shteti ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor, ndërsa i dyshuari tjetër po ruhet nga zyrtarët policorë, deri në përmirësimin e gjendjes.

Sinjali do të iu mbajë të informuar për detajet e reja të rastit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.