Prizren: Rritet numri i aksidenteve në trafik
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, në çerekun e parë të këtij viti, numri i aksidenteve në rajonin e Prizrenit ka shënuar rritje për 8 për qind. Përkundër kësaj ka rënie të aksidenteve fatale, pasi ka vetëm një të vdekur, transmeton “Gazeta e Prizrenit.net”.
Gjatë periudhës kohore nga janari deri në mars të këtij viti, kanë ndodhur 558 aksidente. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 janë 47 aksidente më shumë. Përkundër që vjet në këtë periudhë ka pasur tre të vdekur, sivjet në trafik ka një viktimë dhe dy aksidente më pak.
Referuar shifrave të policisë, del se në këtë hark kohor, aksidentet me të lënduar kanë një ngritje prej 8 për qind, meqenëse kanë ndodhur 227 raste, apo 17 më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Një ngritje të tillë ka pasur edhe tek aksidentet me dëme materiale. Janë regjistruar 330 raste, kundrejt 306 që ndodhen me 2017.
Hazir Berisha, zyrtar për media pranë Drejtorisë rajonale në Prizren, tha për portalin “Gazeta e Prizrenit.net” se ndër shkaktarët kryesorë të aksidenteve, policia ka veçuar mungesën e kulturës në trafik, si dhe mosnjohjen e mosrespektimin e rregullave e të rrethanave nga pjesëmarrësit.
Kjo mungesë kulture, në një farë forme rrugët tona i ka shndërruar në vija të vdekjes, të gjymtimit si dhe shkatërrimit të pasurisë. Nisur nga kjo situatë, policia ka thënë është detyruar të aplikoj masa më të rrepta ligjore.
Sipas inspektorëve komunal të trafikut, ndër shkaqet më të shpeshta të aksidenteve bëjnë pjesë mosrespektimi i shenjave e sidomos mospërputhja e lëvizjes me kushtet e rrugës pasi në të shumtën, ka pasur tejkalim të shpejtësisë së lejuar.
Nga raportet policore del se çerekun e parë të këtij viti, ka një rënie të shqiptimit të gjobave për 25 për qind, pasi janë shqiptuar 6.856 sosh, derisa në të njëjtën periudhë të 2017-ës policia ka shqiptuara 9.190 gjoba.