03-12-2024

Rektori Temaj i vlerëson normale ankesat e atyre që humbin garën

Universiteti Publik  i Prizrenit ‘Ukshin Hoti’ u bë me rektor të ri në mesin e shumë kundërshtimeve dhe akuzave për shkelje gjatë procesit të zgjedhjeve.

Këshillit Drejtues i UPZ-së,  më 22 maj në raundin e dytë të votimeve zgjodhi Profesorin Ismet Temaj, rektor të këtij universiteti.

Sot Kryesuesi i Këshillit Drejtues të këtij universiteti nxori një vendim të shkruar për përzgjedhjen e Temajt si rektor, i cili bazohet në Statutin e Universitetit të Prizrenit dhe Rregulloren e Punës së Këshillit Drejtues.

Në fakt zgjedhja u bë në sallën ku prezentë ishin katër nga shtatë anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit dhe në mesin e shumë tensioneve.

Statuti i Universitetit të Prizrenit  ‘Për mbajtjen e mbledhjeve të Këshillit Drejtues nevojitet kuorumi prej pesë anëtarëve, së paku katër prej tyre me të drejtë vote’.

Ky statut poashtu parasheh që për zgjedhjen e rektorit duhen dy të tretat e votive të anëtarëve të Këshillit Drejtues.

Sekretari i Universitetit të Prizrenit, Burim Berisha e quajti këtë zgjedhje të jashtëligjshme, pasi sipas tij në sallë nuk ka pasur kuorum dhe kandidatët nuk kanë mundur të marrin 2/3 e votave, të nevojshme për zgjedhjen e rektorit.

“Jena dalë jashtë për konsultë, deri sa ne kemi qenë jashtë, në media e kam dëgjuar se është mbajtur një raund tjetër i votimit me katër anëtarë të bordit…Këtu ka pasur shkelje se nuk ka pasur kuorum dhe nuk i ka marrë pesë vota”, tha Berisha.

Berisha poashtu akuzoi Kryesuesin e Këshillit Drejtues të këtij universiteti se ka marrë me vete materialin zgjedhor nga votimi për zgjedhjen e rektorit.

Në anën tjetër, Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Bedri Muhadri e konsideroi vendimin legjitim, duke thënë se janë të hapur ndaj ankesave.

“Raundi i parë dhe raundi i dytë është pjesë integrale dhe është një tërësi e njësuar për një çështje, po të ishte ndryshe mbi konstatimet e mia atëherë rektori do të ishte një maratonë e procesit të votimit, pasi nëse nuk kemi rezultate të duhura për një grupacion dhe lëshimi i mbledhjes do ta bënte një garë monotone dhe maratonike për zgjedhjen e rektorit”, tha Muhadri.

Vendimi i Muhadrit ishte bazuar edhe në rregulloren për Punën e Këshillit Drejtues.

Megjithatë në rregulloren që e ka siguruar KALLXO.com  në nenin 13 të saj parashihet se ‘Vendimet e Këshillit Drejtues janë të plotëfuqishme vetëm nëse kuorumi vërtetohet në kohën e votimit’.

Muhadri poashtu pranoi se kishte marrë me vete materialin zgjedhor dhe për këtë çështje kishte dhënë deklaratë në polici.

Ai tha se meqë nga mbledhja ishte larguar Sekretari i Përgjithshëm dhe një Zyrtar Ligjor i KD-së, ai nuk kishte ditur çfarë të bënte me atë material.

Rektori i përzgjedhur, Ismet Temaj tha se vërtetësia e zbatimit të rregullave në votim është në kompetencën e atyre që kanë qenë prezentë.

“Mënyra si ka shkuar ka qenë shumë legjitime, shumë e drejtë, mënyra më e mirë e mundshme edhe gjatë intervistës, pyetjet kanë qenë me vend. Pastaj kur të kryhet intervista kandidatët nuk duhet të jenë aty… e bëjnë punën e tyre Këshilli Drejtues. Gjithmonë ai që humb garën ankohet, kjo është normale për mua, për mua ka qenë garë fer”, tha Temaj.

Kandidati tjetër që ishte në garë dhe rektori aktual, Ramë Vataj nuk deshi të komentoj për këtë çështje para kamerës, mirëpo tregoi se i ka dërguar letër ankese Ministrit të Arsimit dhe Kryeministrit të Kosovës.

Megjithatë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që kishte pasur një përfaësuese prezente në kohën e votimit, për KALLXO.com ka thënë se janë në proces të grumbullimit të raporteve mbi këtë çështje./kalxo.com/

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.