Banorët e lagjes Dardania në Prizren së shpejti do të kenë në dispozicion çerdhen e re, një investim i shumëpritur prej vitesh, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.
Ministri i MASH-it, Hajrullah Çeku, sot njoftoi se punimet në këtë objekt janë në fazën finale.

Çerdhja ka rreth 2 mijë metra katrorë hapësirë dhe kapacitet për 160 fëmijë, ndërsa vlera e investimit është mbi 800 mijë euro.

“Po vazhdojmë investimet në çerdhe të reja gjithandej Kosovës, që sa më shumë fëmijë të kenë qasje në edukim cilësor që në vitet e para të jetës. Kështu mbështesim zhvillimin e fëmijëve dhe ua lehtësojmë prindërve harmonizimin e jetës familjare me punën”, ka deklaruar Çeku. / Gazeta e Prizrenit



