Prizren: Shënohet përvjetori i LSHP-së
Kryetarët e komunave të Kosovës dhe ata nga bashkitë shqiptare janë bërë bashkë sot në qytetin e Prizrenit për të shënuar 144 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ceremonia solemne e këtij takimi, është mbajtur në oborrin e kompleksit të LSHP.
Para të pranishmëve, nikoqiri i këtij takimi, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se kjo ngjarje e ka ngritur përgjithmonë vetëdijen kombëtare shqiptare. Kryetari i Unionit të Bashkive dhe komunave shqiptare në rajon, Erjon Veliaj, tha se jemi mbledhur këtu që të krijojmë lidhje të re të afrimit mes nesh si komb.
Nga një fjalë rasti e mbajten edhe kryetari i Prishtinës, Përprarim Rama, ai i Tetovës, Bilall Kasami dhe kryetari i Preshëvës, Shqiprim Arifi. Ky i fundit, kërkoi angazhim dhe bashkëpunim në vazhdimësi që të përmirësohet edhe gjendja e shqiptarëve të Luginës, raporton tv Prizreni.Përveç këtij takimi, gjatë ditës dhe në mbrëmje do të ketë edhe aktivitete të tjera në Prizren me rastin e shënimit të kësaj feste të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.