Prizren: Shlyhet procesverbali, dështon gjykimi ndaj të akuzuarve për mashtrim me viza pune

Për të shtatën herë me radhë, ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në rastin e të akuzuarve për shpëlarje parash dhe shmangie nga tatimi, Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj.

Shkak i mos mbajtjes së kësaj seance ishin problemet teknike, konkretisht shlyerja pa dashje e procesverbalit të seancës së sotme nga zyrtarja ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani tha se vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor është i pamundur pasi që procesverbali i seancës së sotme është shlyer.

“Trupi gjykues në prezencë të të gjitha palëve dhe dëshmitarëve ka filluar shqyrtimin kryesor në çështjen penale kundër të akuzuarve të lartcekur dhe për shkak të veprave penale të lartcekura, shqyrtimi ka filluar në ora 10:00 dhe ka vazhduar gjerë në 11:50 minuta ku është ndërprerë për shkak të pauzës. Shqyrtimi kryesorë është tentuar të vazhdohet aty ku ka mbetur, mirëpo teknika gjatë përpilimit të procesverbalit ka dështuar, janë humbur të gjitha shënimet që janë kryer brenda 2 orëve, është tentuar përmes IT të gjykatës, mirëpo ka qenë e pa mundur që të kthehet procesverbali në gjendjen e mëparshme”, tha gjykatësi Osmani.

Po ashtu, gjykatësi Osmani ka refuzuar kërkesën e të akuzuarit Flamur Hoxha që në cilësi të dëshmitarit për seancën e radhës të dëgjohet kontabilisti Flamur Hoxhaj.

Paraprakisht, në seancën e së enjtes palët në procedurë kanë dhënë fjalët e tyre hyrëse dhe ka filluar dëgjimi i dëshmitarit Hasan Veliu, por pas kthimit nga pauza e drekës, me shlyerjen e procesverbalit është pamundësuar mbajtja e seancës.

Në këto rrethana, gjykatësi Osmani njoftoi  se shqyrtimi i ardhshëm do të filloj rishtas dhe caktohet për datat 2 dhe 12 korrik 2021, në ora 10:00.

Me aktgjykim e shpallur nga Gjykata Themelore në Prizren, më 9 janar 2020, ish-drejtori ekzekutiv i shkollës “DBBS” në Prizren, Flamur Hoxha, ishte dënuar me gjashtë vjet burg dhe 21 mijë euro gjobë, pasi ishte shpallur fajtor se ka mashtruar qytetarët për viza pune në Gjermani, ndërsa i akuzuari tjetër, Besim Rexhaj, ishte dënuar me katër vjet burgim dhe me 12 mijë euro gjobë.

Ndaj të akuzuarit Flamur Hoxha ishte shpallur edhe aktgjykim plotësues, konfiskimi i pasurisë, konkretisht një shtëpi, një veturë “BMW X5”, si dhe një “Audi”, kurse të akuzuarit Rexhaj, i është konfiskuar një banesë me garazh, si dhe një veturë e tipit “Polo”.

Po ashtu, për këtë rast ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht Veprim Rexhepi, i cili akuzohej se me anë të falsifikimit ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa Gjykata e Apelit, këtë rast e ka kthyer në rigjykim vetëm ndaj Flamur Hoxhës dhe Besim Rexhajt, të cilët kishin parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale (PSRK), të ngritur më 20 gusht 2018, me të cilën Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj akuzohen se në periudhën 2016-2017, megjithëse e kanë ditur se të ardhurat burojnë nga aktivitete kriminale, kanë pranuar para nga qindra persona të dëmtuar, saktësisht 489 persona, me arsyetimin se do t’i punësojnë në Gjermani.

Sipas aktakuzës, Hoxha dhe Rexhaj, nga të dëmtuarit e njëjtë i kanë marrë nga 2500 – 3000 euro, të cilët fare nuk i kanë dërguar në Gjermani, duke fshehur fondet në fjalë e më pas të njëjtat fonde duke i transferuar tek persona tjerë, me këto veprime kanë përvetësuar shumën prej 1.220.175.00 euro, nga të cilat kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1.068.775.00 euro.

Me këtë, në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, akuzohen se kanë kryer veprën penale “shpëlarje parash”, nga neni 308 i Kodit Penal të RKS, si dhe neni 32 paragrafi 2. nën paragrafi 2.1 dhe 2.2 i Ligjit mbi Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit, lidhur me nenin 81 dhe 31 të Kodit Penal të RKS.

Sipas aktakuzës, të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale të mashtrimit, nga neni 335, dhe atë të falsifikimit të dokumenteve nga neni 399, si dhe Shmangie nga Tatimi nga neni 313 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi