Prizren: Shpallen të pafajshëm anëtarët e Komisionit që akuzoheshin për korrupsion në ndarjen e 92 banesave

Reshat Mehmeti, Fidan Shala dhe Arben Rexhepi janë shpallur, të enjten, të pafajshëm nga akuza se kishin shpërfillur kriteret ligjore kur kishin ndarë 92 banesa për kategoritë e dala nga lufta dhe kategoritë tjera sociale në Prizren.

Për ndërtimin e këtyre banesave kishte marrë vendim Komuna e Prizrenit, e cila edhe i kishte caktuar Mehmetin, Shalën dhe Rexhepin si anëtarët të Komisionit për vlerësimin e aplikantëve.

Sipas aktgjykimit lirues të shpallur në Gjykatën Themelore në Prizren nga kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar.

Gjykatësja Ajser Skenderi tha se pas administrimit të provave, dëgjimit të dëshmitarëve si dhe mbrojtjes së të akuzuarëve nuk është vërtetuar se ekziston dashja. Sipas saj, nuk është vërtetuar se është dëmtuar dikush, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“…nëse është dëmtuar kush është dëmtuar dhe se çfarë lartësie ka qenë dëmi si dhe nuk janë vërtetuar elementet esenciale të veprës penale”, ka thënë gjykatësja Skenderi..

Në fund, i njëjti i njoftoi palët kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh, nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim.

Ndërsa, shpenzimet procedurale mbeten në barrë të gjykatës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit të ngritur më 08 mars 2019, të akuzuarit Mehmeti, Shala dhe Rexhepi, u ngarkuan se gjatë vitit 2013, nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Organi i akuzës, ata i ngarkoi se duke qenë pjesë e komisionit për vërtetimin e kushteve të banimit dhe përcaktimin e përfituesve të të drejtës së shfrytëzimit të banimit, të njëjtit nuk i përmbushin detyrat e tyre. Sipas akuzës, ata i  kanë dhënë mundësi Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, që të përpilojnë lista pa e bërë fare verifikimin sipas udhëzimit administrativ nr 21/2010, për përcaktimin e radhës së përparësisë për kategoritë e familjeve që mundë të përfitojnë nga programet e veçanta të banimit.

Në aktakuzë thuhet se me këtë rast aplikuesit nga radha e familjeve të dëshmorëve kanë përfituar 82 banesa, aplikuesit nga familjet e luftës së UÇK-së, kanë përfituar 5 banesa, familjet e veteranëve të luftës 2 banesa ndërsa nga radhët e familjeve skamnore përfitojnë vetëm 3 banesa.

Me këtë, sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par 1, e lidhur me nenin G31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi