19-09-2020

Prizren: Shpallet aktgjykimi dënues ndaj shtetasit të Shqipërisë

Pas arritjes së marrëveshjes së Prokurorisë Themelore në Prizren me të akuzuarin për armëmbajtje pa leje, Pandeli Hoxha, për pranimin e fajësisë, Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues.

I pandehuri Hoxha u dënua me 500 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e mbajtur të hënën, prokurorja Arijana Shajkovci paraqiti marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë të arritur me të akuzuarin Pandeli Hoxha dhe me mbrojtësin e tij, avokatin Esat Gudaj, të përpiluar më 23 nëntor 2018.

Gjykatësi Xheladin Osmani bëri të ditur se deri më tani i akuzuari ka qenë në arrati, për çka dhe nuk ka mundur të shqyrtohet marrëveshja në fjalë, e arritur pothuajse 2 vite më parë.

I akuzuari Hoxha deklaroi se mbetet në tërësi pranë marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë, kurse mbrojtësi i tij, avokati Gudaj kërkoi që r njëjta të aprovohet, më arsyetimin se është e bazuar në dispozita ligjore.

Po ashtu, avokati Gudaj kërkoi nga gjykata që ndaj klientit të tij të shqiptohet një dënim më i butë, duke shtuar se ai në kohë pandemie nuk është duke punuar.

Marrëveshja në fjalë u aprovua nga gjykatësi Osmani, i cili shpalli aktgjykimin dënues ndaj të pandehurit Hoxha, duke e dënuar me 500 euro gjobë për veprën që i vihet në barrë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 23 nëntor 2018, Pandeli Hoxha akuzohet se më 30 tetor 2018, rreth orës 22:00, në pikën kufitare në Vërmicë, mban në pronësi armë në kundërshtim me ligjin.

Sipas aktit akuzues, Hoxha ishte ndaluar nga zyrtarët e policisë kufitare, ku gjatë kontrollit të automjetit të tij “Opel Meriva”, i kapen dy pako me nga 25 fishek gjuetie, të cilat i kishte pasur në veturë.

Me këto veprime, Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.