15-05-2024

Prizren: Shtimi i qenve endacakë përbën shqetësim  

Në Prizren numri i qenve endacakë është shtuar dukshëm kohëve të fundit.  Prania e tyre nëpër rrugë e lagje vazhdon t’i shqetësojë qytetarët e në veçanti fëmijët dhe të moshuarit, raporton “Gazeta e Prizrenit”.

 

Në lagje të qytetit sheh duke bredhur grupe qensh.  Ata vërehen edhe në “shatërvan”, ndërsa më të shumtë janë në pjesët më periferike. Si ”vatra të krizës” mund të konsiderohet  lagja “Ortakoll” dhe “Arbana”, ndërsa “shtabi qendror” i tyre janë hapësirat e stacionit të autobusëve dhe  ato të trenit.

Pos frikës së kafshimit nga këta qenë, shqetësimet shtohen aq më tepër kur dihet se ata qëndrojnë afër kontejnerëve dhe mbeturinave.  Sadik Berisha, nga lagja “Bazhdarhane”, tha çdo mëngjes i duhet t’i shoqëroi fëmijët për në shkollë, pasi ka frikë nga sulmi eventual i qenve.

 

Këtë problem, qytetarët e tashmë po e paraqesin edhe në rrjetet sociale. Çështjen e shtimit të qenve e ka ngritur edhe anëtari i KK-së, Alush Shala.

 

Qentë endacakë mund të jenë rrezik i drejtpërdrejtë i shëndetit të njeriut pasi që në mungesë të ushqimeve apo kushteve të këqija të jetesës, mund të shndërrohen në bartës të sëmundjeve të ndryshme.

 

Qeveria e Republikës së Kosovës,  përmes një vendim më 2017 i ka obliguar të gjitha komunat, që në territorin e tyre të shpallin gjendjen emergjente dhe të mobilizojnë strukturat e sistemit të mbrojtjes për ndërmarrjen e masave  për trajtimin e qenve endacak. Kjo ka autorizuar që trajtimin e qenve ta bëj Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AVUK).

Në Drejtorinë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural (DBPZHR), derisa pranojnë se gjendja është e keqe, thanë se i kanë duart e lidhura, për të vepruar, pasi presin që këtë ta bëj AVUK, të cilës disa herë ia kanë paraqitur shqetësimin.

 

Egzon Elshani, drejtor i DBPZHR-së, tha për “Gazetën e Prizrenit” se në AVUK i kanë thënë se janë në fazën finale, për të filluar me trajtimin e qenve endacak, meqenëse disa herë ua kemi paraqitur shqetësimet e shumta të qytetarëve.

 

“Presim që sa më parë të nis projekti. Kemi informacione se kanë aplikuar edhe veterinarë nga komuna e Prizrenit”, tha ai, për “Gazetën e Prizrenit”, duke pranuar se ka shumë shqetësime për numrin e qenve.

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.