Prizren: Shtyhet gjykimi ndaj policit që akuzohet se përvetësoi pesë eurot e personit të ndaluar
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani ka deklaruar se nuk ka fakte së i dëmtuari Shala është ftuar në mënyrë të rregullt, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prezent në seancën e së premtes ishin prokurori Metush Biraj, i pandehuri Ukzeka me mbrojtësin e tij, avokatin Avni Thaqi, si dhe dëshmitarët Bashkim Kastrati, Remzi Bujari dhe Bahtiar Belloda.
Seanca e radhës pritet të mbahet më 7 prill 2020, në ora 10:00 .
Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 31 tetor 2019, e akuzon Selman Ukzekën se më 10 maj 2019, në cilësinë e zyrtarit policor në Qendrën e Ndalimit në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, përvetëson pasurinë e cila i është besuar për shkak të detyrës apo pozitës së tij.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari, pa ia marrë shënimet personale të ndaluarit-të dëmtuarit Sylë Shala, i drejtohet me pyetjen: “A janë këto gjësende, 2×5 euro, aksesori, ora e dorës dhe kuleta e juaja?” dhe në momentin kur i ndaluari shfrytëzon tualetin, i akuzuari bën regjistrimin e gjësendeve, me ç’rast përvetëson njërën nga bankënotat prej pesë euro.
Sipas aktakuzës, kur i dëmtuari del nga tualeti, i pandehuri ia jep formularin për nënshkrim, e bastis në trup dhe e dërgon në dhomë.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri, pas 30 minutave, shkon në dhomën e ndalimit dhe e pyet të dëmtuarin për disa kartëmonedha të huaja, të cilat pasi i nxjerr nga kuleta ia ofron të dëmtuarit në shikim, e më pas në formular të pranimit e regjistron se i dëmtuari, përveç gjësendeve të lartpërmendura, i ka pasur vetëm 5 euro e 20 cent. /Betimipërdrejtësi