Prizren: Shumëfish më shumë kërkesa për lirim nga shtetësia e Kosovës se sa për marrjen e saj
Gjatë vitit 2018-të në komunën e Prizrenit shumëfish më tepër janë regjistruar kërkesa për lirim nga shtetësia e Kosovës se sa ka pasur shtetas të huaj, të cilët kanë shpreh dëshirën për ta marrjen e shtetësisë së vendit tonë, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Mbështetur në të dhënat e zyrës së gjendjes civile të Komunës, del se madje në dy vitet e fundit ka pasur një numër pothuajse të përafërt të atyre që kanë aplikuar për lirim nga shtetësia.
Gjatë vitit që shkoi janë regjistruar 294 kërkesa për lirim nga shtetësia e Kosovës, apo dy më shumë se sa në vitin 2017.
Ndër arsyet e deklaruara për lirim nga shtetësia janë ato në kërkim të mirëqenies më të mirë jashtë vendit, kryesisht në vendet evropiane. Kjo bëhet edhe për shkak se shtetet perëndimore në rastet e dhënies së shtetësisë së personave nga Kosova, paraprakisht kërkojnë heqjen e shtetësisë së vendit në të cilin ata kanë lindur.
Sipas Ligjit përkatës, humbja e shtetësisë bëhet në rastet kur kjo kërkohet nga ana e një shtetasi, i cili njëkohësisht ka aplikuar një kërkesë të kësaj natyre në një shtet tjetër, në të cilin jeton, ndërsa ai është detyruar që paraprakisht të heq dorë nga shtetësia tjetër.
Në anën tjetër, në zyrat e gjendjes civile në Prizren, gjatë vitit të kaluar 42 persona kanë aplikuar për pranim të shtetësisë së Kosovës. Ndër kërkesat më të shpeshta për shtetësi të Kosovës janë ato nga rajoni, përfshirë persona që kërkojnë kompletim të dokumentacionit, derisa këtu bëjnë pjesë edhe raste të ish-shtetasve nga Shqipëria që tashmë kanë lidhur martesë me shtetas të Kosovës.
Marrja e shtetësisë bëhet, pas shqyrtimit të dokumentacionit, pasi aplikuesi të kenë plotësuar paraprakisht një deklaratë të betimit, për respektimin e rendit kushtetues të vendit tonë./GazetaePrizrenit.net/