Me një solemnitet rasti, sot u shënua 25 vjetori i themelimit dhe funksionimit të Komunës së Prizrenit, të parit institucion që nisi punën në Kosovën e çliruar nga pushtimi serb, raporton “Gazeta e Prizrenit”.
Në ceremoninë që u mbajt në sallën e Kuvendit Komunal, ishin udhëheqësit më të lartë të asaj kohe, ish-drejtorë komunal, pastaj shërbyes civilë, si dhe gazetarë të cilët e kanë mbështetur funksionimin e institucionit më të lartë lokal.
Disa sosh sot janë në pension, ndërsa disa edhe nuk jetojnë, prandaj takimi dhe përkujtimet kanë sjellë emocione.
Para të pranishmëve, folën Ramë Buja, ish-ministër i Pushtetit Lokal dhe ish-kryetari i Këshillit Komunal, Kadri Kryeziu, të cilët kujtuan ditët e vështira të fillimit të insitucioneve në rrethanat e asaj kohe.
Fjalë rasti mbajti edhe Ilir Kulla nga Shqipëria, i cili kishte ndihmuar nisjen e punës së Komunës, raporton Gazeta e Prizrenit.
Me këtë rast drejtorët dhe stafi mbështetës u nderuan me mirënjohje, përfshirë edhe ato Post Mortum.
Këshilli Komunal (KK) në Prizren filloi punën me 15 qershor 1999. Në krye të tij, nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës u emërua Kadri Kryeziu, ish i burgosur politik, veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare dhe pjesëmarrës i luftës së UÇK-së.
/ Gazeta e Prizrenit /