26-04-2024

Prizren: Të akuzuarit për mashtrim me viza pune në Gjermani kërkojnë të hyjnë në negocim të marrëveshjes për pranim fajësie

Tre të akuzuarit për mashtrim me viza pune për në shtetin e Gjermanisë, Flamur Hoxha, Besim Rexhaj dhe Veprim Rexhepi, kanë kërkuar që tu mundësohet negocimi i marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Një kërkesë të tillë, të akuzuarit e kanë bërë në seancën e djeshme në Gjykatën Themelore të Prizrenit, përmes mbrojtësve të tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë rast, Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj, akuzohen se në bashkëkryerje kanë mashtruar një numër të madh të qytetarëve, duke marrë mjete nga të njëjtin, prej 2500-3000 euro, kinse do t’i punësojnë në Gjermani, e më pas duke keqpërdorur në forma të ndryshme me fondet në fjalë.

Ndërsa, Veprim Rexhepi, akuzohet se me anë të falsifikimit, ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata.

Mbrojtësit e të akuzuarve Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj, avokatët Bashkim Nevzati dhe Miftar Qelaj, kanë kërkuar nga gjykata që t’u jepet një afat shtesë, me të cilën do të mund të arrihej ndonjë marrëveshje eventuale mbi pranimin e fajësisë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Krahas tyre, edhe i akuzuari i tretë për këtë rast, Veprim Rexhepi, ka kërkuar që të hyjë në marrëveshje mbi pranimin e fajësisë me prokurorinë.

“Duke pasur parasysh natyrën dhe voluminitetin e kësaj çështje penalo – juridike, mbrojtja konsideron se është në interes të të gjitha palëve në procedurë që e njëjta eventualisht të përfundojë me një marrëveshje për pranimin e fajësisë, andaj duke shprehur keqardhje për të dëmtuarit të pranishëm në këtë seancë, propozoj që të tentohet arritja e ndonjë marrëveshje dhe tani për tani kjo seancë të ndërpritet”, ka thënë avokati Nevzati.

Këto deklarime të avokatit Nevzati, i ka mbështetur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Besim Rexhaj, avokati Miftar Qelaj, sipas të cilit, edhe ata janë të gatshëm të hyjnë në këtë marrëveshje.

Në anën tjetër, prokurori i Prokurorisë Speciale, Afrim Shefki, nuk e ka kundërshtuar propozimin e mbrojtjes, duke thënë se ata janë të gatshëm për të hyrë në ndonjë marrëveshje për pranimin e fajësisë.

“Pas dëgjimit të mbrojtësve të të akuzuarve si dhe të akuzuarit Veprim Rexhepi, deklaroj se jemi të gatshëm të hyjmë në negocimin mbi pranimin e fajësisë, pas pranimit të propozimeve në formë të shkruar dhe se mbi të gjitha obligimi i parë i këtyre të akuzuarve, do të jetë kompensimi i viktimave që janë dëmtuar në këtë proces, e pastaj negociojmë llojin dhe lartësinë e dënimeve, si dhe dënimet plotësuese si në aktakuzë”, deklaroi prokurori Shefkiu

Po ashtu, mbrojtësi i dytë i të akuzuarit Flamur Hoxha, avokati Durim Nevzati, ka kërkuar nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Xheladin Osmani, që të mbrojturit të tij, t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe e njëjta t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak, pasi që sipas tij, kanë pushuar arsyet ligjore për vazhdimin e masës së njëjtë.

Kurse, një kërkesë të tillë, e ka kundërshtuar prokurori Shefkiu, i cili tha se ende ekzistojnë shkaqet për të cilat është vazhduar masa e paraburgimit ndaj të akuzuarit Flamur Hoxha.

Mirëpo, gjykatësi Xheladin Osmani, e ka refuzuar kërkesën e mbrojtësit Nevzati, për zëvendësimin e masës së paraburgimit ndaj të akuzuarit Flamur Hoxha.

Seanca e radhës është caktuar më 21 mars 2019, prej orës 10:00.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale (PSRK), të ngritur më 20 gusht 2018, me të cilën Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj, akuzohen se në periudhën 2016-2017, megjithëse e kanë ditur se të ardhurat burojnë nga aktivitete kriminale, kanë pranuar para nga qindra persona të dëmtuar, saktësisht 489 persona, me arsyetimin se do t’i punësojnë në Gjermani.

Sipas aktakuzës, Hoxha dhe Rexhaj, nga të dëmtuarit e njëjtë i kanë marrë nga 2500 – 3000 euro, të cilët fare nuk i kanë dërguar në Gjermani, duke fshehur fondet në fjalë e më pas të njëjtat fonde duke i transferuar tek persona tjerë, me këto veprime kanë përvetësuar shumën prej 1.220.175.00 euro, nga të cilat kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1.068.775.00 euro.

Me këtë, në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “shpëlarje parash”, nga neni 308 i Kodit Penal të RKS, si dhe neni 32 parag 2. nën parag 2.1 dhe 2.2 i Ligjit mbi Parandalimin e Shpërlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit, lidhur me nenin 81 dhe 31 të Kodit Penal të RKS.

Sipas aktakuzës, të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale të Mashtrimit nga neni 335, dhe atë të Falsifikimit të Dokumenteve nga neni 399, si dhe Shmangie nga Tatimi nga neni 313 të Kodit Penal të RKS.

Kurse, Veprim Rexhepi, akuzohet se në periudhën 2016-2017, me anë të falsifikimit, ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata.

Me këtë, ai akuzohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve nga neni 398 parag 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Asnjë koment

Comments are closed.