Prizren: Të dyshuarit për vjedhjen e televizorit pajtohen të negociojnë marrëveshjen për pranimin e fajësisë
Prokurori i rastit, Fatos Ajvazi, në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prizren, ka propozuar hyrjen në negocim të kësaj marrëveshje, pasi sipas tij, dy të akuzuarit kanë shprehur gatishmëri.
Prokurori për këtë arsye, ka kërkuar që seanca e së enjtes të shtyhet për një ditë tjetër, për tu mundësuar negocimi i marrëveshjes për pranimin e fajësisë.
Mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët, Blend Gjini dhe Labinot Elshani, nuk e kanë kundërshtuar një propozim të tillë të prokurorit për hyrjen në negocim të marrëveshjes për pranimin e fajësisë, për dy klientët e tyre.
Gjykatësi i çështjes, Mehmet Ndrecaj, ka marr aktvendim që seanca e së enjtes të shtyhet për një ditë tjetër, varësisht nga epilogu i negocimit të marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë.
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj U. K.dhe Sh. E, të cilët i akuzon se më 20 tetor 2014, gjatë kohës së mesnatës në rrugën “Azem Bejta” në Prizren, duke e hapur derën e lokalit të të dëmtuarit D. G., hyjnë dhe nga aty marrin një televizor të vjetër në vlerë prej 80 euro, e më pas largohen nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”, nga neni 327.par.1.lidhur me par.31.të KPRK-së./betimiperdrejtesi/