20-04-2024

Prizren: Testit të arritshmërisë do t’i nënshtrohen 2.750 nxënës

Në mbarë vendin, sot mbahet Testi i arritshmërisë për klasat e nënta. Komuna e Prizrenit ka shtatë qendra testuese. Drejtoria komunale e Arsimit në Prizren deklaron se ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura që të mos ketë mangësi gjatë këtij procesi dhe që të shmangen përpjekjen e fëmijëve për të kopjuar, gjatë tri orëve sa mbahet testi.

 

Në kontekstin  e përgatitjeve për testin, Drejtori i DKA-së në Prizren,  Skënder Susuri në takimin që ka pasur me drejtorët e qendrave testuese dhe koordinatorët e caktuar, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura  që  testi të dalë sa më objektiv dhe pa ndonjë mangësi, raporton “Gazeta e Prizrenit.net”.

“DKA në Prizren së bashku me Komisionin për organizim dhe mbajtje të Testit të arritshmërisë, ka ndërmarrë masat e nevojshme, që testi të mbahet në nivelin e duhur dhe të mos ketë pengesa nga indikatorë të ndryshëm”, theksoi ai duke konfirmuar se pas testit të gjithë nxënësit e interesuar, mund të regjistrohen në shkolla të mesme.

 

Susuri ndërkaq nga drejtorët ka dëgjuar për ide të ndryshme rreth ecurisë dhe një organizimi sa më efektiv të këtij testi. Në mbarë komunën e Prizrenit, Testit të arritshmërisë i nënshtrohen rreth 2. 750 nxënës.

 

Testi fillon në ora 10:00 deri në ora 13:00. Nxënësit do të jenë në qendrat testuese 30 minuta më herët dhe nën shoqërim të kujdestarëve të klasave.

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.