Prizren: Tre kuvendarë të VV-së dorëzojnë në Prokurori kallëzim për dyshimet në ndarjen e subvencioneve të Komunës
Tre anëtarë të Kuvendit Komunal të Prizrenit nga Lëvizja Vetëvendosje kanë dorëzuar sot në Prokurorinë Themelore një kallëzim, duke kërkuar hetim lidhur me procesin e ndarjes së subvencioneve nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS).
Kuvendarja Dafina Alishani deklaroi se ekzistojnë dyshime serioze për parregullsi gjatë ndarjes së subvencioneve, duke theksuar se përfituese kanë qenë edhe organizata joqeveritare, për të cilat, sipas saj, duhet të verifikohet mënyra e përzgjedhjes dhe përmbushja e kritereve.
Ky veprim vjen pas ngritjes së të njëjtave shqetësime edhe në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, ku opozita kërkoi hetime për mënyrën e ndarjes së subvencioneve në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. Në atë seancë, Alishani kishte deklaruar se një anëtar i komisionit për vlerësimin e aplikacioneve kishte përfituar edhe vetë subvencion në vlerë prej 28 mijë eurosh, duke e cilësuar këtë si konflikt të mundshëm interesi.
Kuvendarët e VV-së kanë kërkuar nga organet e drejtësisë që të hetojnë të gjitha rrethanat e këtij procesi dhe të sqarojnë nëse ka pasur shkelje ligjore gjatë ndarjes së mjeteve publike. / Gazeta e Prizrenit
