Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor ka konstatuar se Komuna e Prizrenit nuk ka nevojë që ta revidojë Planin Zhvillimor Komunal 2013-2025.
Sipas këtij dikasteri, organet komunale mund të vazhdojnë me hartimin e Hartës Zonale të Komunës, por duke i marrë parasysh rekomandimet e dhëna në kuadër të Raportit të vlerësimit të zbatimit të PZHK-së, shkruan sot Koha Ditore.
Përmbajtja e këtij raporti të vlerësimit është prezantuar para këshilltarëve nga drejtori i DUPH-së, Fatmir Memaj në seancën e fundit të Kuvendit të Komunës.
Sipas tij, në bazë të vlerësimit për zbatimin e veprimeve të PZHK-së dhe arritjes së synimeve të përcaktuara në të “konstatimi i përgjithshëm është se gjatë periudhës 2013-2018 veprimet e PZHK-së dhe synimet janë zbatuar deri në masë të caktuar dhe ende ka veprime që janë në zbatim e sipër”.