19-04-2024

Prizren: Vazhon gjykimi ndaj ish-drejtoreshës për Inspektorate, thotë që objekti pa leje është rrënuar në tërësi

Ish-drejtoresha e Drejtorisë së Inspekcionit në Suharekë, Jehona Rrafshi- Lumi, e akuzuar për korrupsion, duke vazhduar dhënien e mbrojtjes, në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prizren, deklaroi se objekti pa leje i investitorit Blerim Gashi është rrënuar në tërësi.

“Atë ditë unë kam qëndruar deri në fund të rrënimit të objektit ndërtimor me investitor Blerim Gashi. E kam parë që është rrënuar tërësisht”, ka thënë Rrafshi- Lumi.

Këtë deklaratë, Rrafshi-Lumi e ka dhënë në rastin ku e njëjta në cilësinë e Drejtoreshës së Inspekcionit në Suharekë, së bashku me inspektorin e ndërtimit, Hafir Maliqaj, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Genc Nixha, e akuzuara Rrafshi- Lumi ka thënë se qëndron në tërësi pranë deklaratës që ka dhënë në Prokurori më 22 shkurt 2021.

Ajo ka treguar se kompetent për hartimin e konkluzioneve është inspektori i ndërtimtarisë. E njëjta ka shtuar se si drejtoreshë e Inspekcionit, ka bërë nënshkrimin e konkluzioneve në bazë të praktikës së Komunës së Suharekës dhe se konkluzionet nga viti 2012 deri më 2018 ishin nënshkruar nga drejtorët.

Rrafshi- Lumi ka thënë se në bazë të Ligjit mbi Qeverisjen Lokale, kompetencë e drejtorit është të marrë vendimet përfundimtare.

Tutje, ajo ka thënë se ka bërë nënshkrimin e konkluzionit, të cilin e ka hartuar i akuzuari Hafir Maliqaj dhe ka treguar arsyet e nxjerrjes së konkluzionit për rrënim të objektit pa leje.

“Njëra prej pikëve është që në rastin konkret, investitori nuk i ka ndërprerë punimet pa u pajisë me leje ndërtimore, nuk e ka respektu aktvendimin për pajisje me leje ndërtimore dhe ka bërë heqjen e shiritave, e cila është vepër penale, i  cili objekt ka qenë i konservuar nga ana e objektit. Gjithashtu, edhe mosrespektimi i procesverbalit për ndërprerjen e punimeve deri sa të pajiset me leje ndërtimore, prandaj këto janë arsyet për të cilat është nxjerrë ky konkluzion”, ka thënë Rrafshi- Lumi.

Lidhur me rindërtimin e objektit pa leje nga investitori Gashi, Rrafshi- Lumi tha se nga inspektori i ndërtimit është informuar se i njëjti ka vazhduar punimet pa leje ndërtimore.

E pyetur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha, e akuzuara Rrafshi-Lumi ka mohuar se me këtë rast ka pasur ndonjë përfitim për vete apo personin tjetër.

Ndryshe, të panishëm në këtë seancë nuk ishin të dëmtuarit: Haziz Tafaj dhe përfaqësuesi i Komunës së Suharekës, për të cilët gjykatësja Krusha tha se janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit të ngritur më 19 prill 2021, e akuzuara Jehona Rrafshi-Lumi ngarkohet me veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i akuzuar Hafir Maliqaj, ngarkohet me dy vepra penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se akuzuara Rrafshi-Luma, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e pastaj nuk e përmbush detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.

Aktakuza thotë se në vend të inspektorit të ndërtimtarisë ne cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspekcionit të Komunës se Suharekës, nxjerr konkluzion 09 Nr.109, të datës 26 maj 2020, e pastaj më 29 maj 2020 në vendngjarje ne parcelat kadastrale nr.2667-0 dhe 2685-0 , pronë e të dëmtuarës “AgroKosova – Holding ” , në rrugën “Ukë Bytyqi” në lagjen Shirokë të Suharekës,  nuk e rrënon në tërësi objektin afarist të ndërtuar pa leje, të investitorit Blerim Gashi dhe kësisoj i shkakton dëm material ose ia shkel të drejtat e të dëmtuarës.

Për këtë, ajo po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 e lidhur me paragrafin 3 pika 3.6 të KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri Hafir Maliqaj po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare nuk i përmbush detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.

Sipas aktakuzës, pas datës 29 maj 2020, si inspektor i ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspekcionit të Komunës së Suharekës, nuk ndërmerr masa ligjore për pengimin e rindërtimit pa leje të objektit afarist, i ndërtuar nga investitori Blerim Gashi në parcelat kadastrale 2667-0 dhe 2685-0, pronë e të dëmtuarës “Agrokosova – Holding” në rrugën “Ukë Bytyqi”, në lagjen Shirokë të Suharekës, duke u mjaftuar vetëm me nxjerrjen me vonesë të një urdhër ekzekutimi të lëshuar nga drejtoresha e Drejtorisë së Inspekcionit 09 Nr.2076, më 30 nëntor 2020, pasi ka përfunduar ndërtimi dhe me këtë të dëmtuarës i është shkaktuar dëm material ose shkelur të drejtat e saj.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Hafir Maliqaj si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, në atë mënyrë që nuk vepron sipas urdhrit të aktvendimit të lëshuar vete më 20 gusht 2020, që në afatin e lejuar prej 15 ditëve të pajiset me leje ndërtimi.

Në aktakuzë thuhet se gjatë këtij afati njëherit ta mbikëqyrë dhe pengojë investitorin Xhevdet Rexhepin, pronar i objektit afarist “Viva Fresh” në fshatin Reshtan – Komuna e Suharekës, që të vazhdojë me ndërtim, por përveç që nuk e bën këtë, po ashtu del me vonesë në vend të ngjarjes më 28 shtator 2020, ku në procesverbalin e hartuar të datës 28 shtator 2020, pasi urdhëron ndërprerjen e punimeve në vend që të ndërmarrë masa që investitorit t’i lejojë afat për tretnim vullnetar e pastaj eventualisht për rrënim të detyrueshëm, përsëri i jep afat shtesë por tani më të gjatë prej 30 ditëve që të pajiset me leje ndërtimi, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm material komunës së Suharekës.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.