Prizren: Vdekja e tre vjeçares nga shembja e shtëpisë, nëna e fajëson komunën, ish-drejtori mohon fajësinë
Ish-drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prizrenit, Bedrija Ejupagiq, e ka mohuar fajësinë për dy vepra penale me të cilat ngarkohet, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe mos evitim i rrezikut.
Ai akuzohet se nuk i ka ndërmarr masat e duhura për sigurimin e shtëpive të vjetra në qendër të qytetit, e ku si rezultat i shembjes së njërës prej shtëpive, kishte humbur jetën vajza tre vjeçare, Xh.G, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Të martën, në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ka vazhduar gjykimi në këtë rast, ku është dhënë fjala hyrëse e palëve në procedurë, si dhe është dëgjuar dëshmia e të dëmtuarës, Lirie Gashi, nëna e tani të ndjerës.
I akuzuari Ejupagiq, fajësinë e ka mohuar nëpërmjet mbrojtësit të tij, avokatit Fatmir Jëlliqi, i cili në fjalën hyrëse të këtij shqyrtimi, ka thënë se për këtë rast nuk ka vepër penale.
“Ashtu si në kërkesën për hedhjen e akuzës dhe kundërshtimit të provave edhe tani theksoj se aktakuza në fjalë si në përshkrimin faktik, ashtu edhe në atë juridik nuk përmban elemente ligjore që e formon qenien e veprës penale për të cilën ngarkohet i mbrojturi im”, ka thënë avokati.
Kurse, prokurorja e rastit Elfete Purova, ka thënë se aktakuza është hartuar sipas dispozitave ligjore, e cila pas administrimit të provave, sipas saj, do të vërtetohet fajësia e të akuzuarit.
Ndërkaq, në këtë seancë, gjatë dëshmisë së saj, e dëmtuara Gashi ka rrëfyer për ditën kritike dhe për ankesat që sipas saj, ajo i kishte drejtuar në Komunën e Prizrenit, për gjendjen në të cilën gjendeshin shtëpitë e vjetra, ku në njërën prej tyre, për shkak të kushteve të vështira ekonomike, jetonte ajo së bashku me vajzën e saj tre vjeçare, tani të ndjerën.
Duke u përgjigjur ne pyetjet e prokurores Elfete Purova, lidhur për ditën kritike, e dëmtuara Gashi, ka thënë se disa herë para se të ndodhte rasti ka qenë për tu ankuar në komunë, mirëpo sipas saj, nuk ishte bërë zgjidhje.
“Unë jam ankuar për rrezikun që më është kanosur për shkak të vjetërsisë së ndërtesës ku kemi jetuar dhe atë Kuvendit Komunal në Prizren. Këtë e kam bërë para se të ndodh rasti kritik, më pas disa zyrtar komunal, kanë ardhur dhe pas shikimit të vendit të ngjarjes, nga ne kanë kërkuar që ta lëshojmë shtëpinë dhe atë në afat prej tre ditëve, me arsyetimin se do të bëjmë një zgjidhje”, ka thënë e dëmtuara Gashi.
Ajo ka thënë se më pas me urdhër të këtyre zyrtarëve, janë vendosur në një shtëpi tjetër, si dhe pas vendosjes aty, zyrtarët komunalë nuk kanë gjetur zgjidhje lidhur me qëndrimin e tyre në atë vend, prandaj ajo ka shtuar se janë detyruar që përsëri të kthehen në shtëpinë ku kanë qëndruar më herët.
Sipas saj, pas rivendosjes në shtëpinë e njëjtë, deri në ditën kritike më nuk kanë pasur vizita nga ndonjë zyrtar komunal.
Më pas, prokurorja ka kërkuar shtyrjen e kësaj seance, pasi që ishte e caktuar edhe në seanca të tjera.
Propozimin e saj për shtyrjen e seancës, e ka aprovuar gjykatësja Teuta Krusha, e cila seancën e radhës e ka caktuar më 7 mars 2019, prej orës 9.30, në të cilën pritet të vazhdojë dëshmia e të dëmtuarës Gashi.
Prokuroria Themelore e Prizrenit, për këtë rast ka ngritur aktakuzë më 13 korrik 2017, ku të pandehurin Bedrija Ejupagiq, e akuzon se gjatë periudhës së janarit e deri më 6 korrik 2016, si person përgjegjës në Komunën e Prizrenit, drejtor i Emergjencave dhe Sigurisë, nuk ndërmerr masa të duhura për sigurimin e shtëpive që ishin para shembjes dhe vendosjen e pajisjeve mbrojtëse përreth tyre, me të cilën do të evitohej rrezikshmëria si dhe mbrojtja e banorëve që jetonin aty.
Në aktakuzë thuhet se si rezultat i mosveprimit dhe sigurimit të atyre shtëpive të vjetra, më 6 qershor 2016, në rrugën “Marin Barleti”, në qendër të qytetit të Prizrenit, derisa tashmë fëmija i ndjerë, ishte duke lozur rreth asaj shtëpie, e cila ishte e pasiguruar, më pas si pasojë e shembjes së saj, nga plagët e marra, humb jetën.
Me këtë, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 365 paragrafi 9 e lidhur me paragrafin 6 dhe 2, si dhe veprën penale “mos evitimi i rrezikut”, nga neni 370 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi