Prizren: Vjehrra 72-vjeçare bashkë me djalin të dehur rrahin nusen, ajo i denoncon në Polici
Pothuajse çdo ditë në Policinë e Kosovës denoncohen raste të dhunës në familje, ku viktima janë kryesisht gratë, të cilat përjetojnë dhunë qoftë nga bashkëshortët, apo edhe familjarët e tjerë. Për një rast të tillë që ka ndodhur mbrëmë në Prizren, është vënë në dijeni edhe Prokuroria, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se këtë herë në rast janë përfshirë vjehrra (72-vjeçare) bashkë me djalin (54-vjeçar) një anë, dhe nusja (56-vjeçare) gruaja e djalit në anën tjetër. Kjo e fundit, viktimë e këtij rasti e ka denoncuar bashkëshortin dhe nënën e tij për dhunën që kanë ushtruar ndaj saj.
Në dëshminë e viktimës të dhënë në Polici, thuhet se vjehrra dhe burri i saj derisa ishin në gjendje të dehur, e kanë sulmuar fizikisht, duke e kapur për flokësh dhe përplasur përtokë.
Një situatë e tillë e ka shqetësuar gruan 56-vjeçare, e cila ka vendosur ta raportojë rastin dhe të kërkojë ndihmë nga Policia, pasi sipas saj të njëjtit shumë herë dehen dhe janë të dhunshëm.
Burimet brenda Prokurorisë thonë se njësitet policore janë vënë në veprim dhe kanë shoqëruar nënën me djalin në Polici, ku kanë dhënë deklaratat për rastin.
I dyshuari, burri i viktimës, është ndaluar me urdhër të Prokurorit, teksa nëna e tij është liruar për shkak të moshës.