Prizren: Zbulohet identiteti i të dyshuarit që ia theu hundën policit
Një rast i rëndë ndodhi mbrëmë në Prizren, ku një person dyshohet se ka sulmuar një zyrtar policor që shkoi të intervenojë në rastin ku ishte përfshirë i dyshuari. 33-vjeçari është arrestuar dhe tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor, raportoi Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është D. Kastrati.
E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pasi Kastrati është përfshirë në një përleshje tjetër, e që kishte aktivizuar Policinë që të dalin për intervenim në vendngjarjes.
Gjatë arrestimit, Kastrati dyshohet se ka goditur policin e ekipit intervenues dhe të njëjtit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore. Zyrtarët tjerë policorë kanë arritur që ta vënë nën kontroll të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion.
Ndërsa zyrtari policor është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren, ku sipas burimeve të Sinjalit, pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se shkaku i goditjes ka pësuar frakturë në hundë.
I dyshuari pasi i është nënshtruar testit të alkoolit, ka rezultuar në gjendje të dehur dhe të njëjtit po ashtu i është ofruar edhe ndihmë mjekësore.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 33-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’. /Gazeta Sinjali.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.