Përkundër që nderohet dhe ka një respekt të madh tek qytetarët e Prizrenit, edhe përvjetori i 18-të u shënua pa shtatoren e Komandat Drinit.
Drejtoria për Adminstratë në kuadër të Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit, vitin e kaluar e ka propozuar vendimin për ngritjen e lapidarit të Komandat Drinit, të cilin e ka miratuar KK-ja.
Ish-drejtori i DA-së, Ilir Baldedaj konfirmoi për “Gazetën e Prizrenit”, se realizimi i projektit për ngritjen e shtatores, ka hyrë në linjë buxhetore, ndërsa për këtë qëllim janë të planifikuara 50 mijë euro. “Se çfarë është bërë pasi kam dorëzuar detyrën nuk kam informacion, por është dashur që të fillojnë procedurat tenderuese”, ka thënë ai.
Baldedaj, shprehet se ai ka planifikuar që në këtë ditë të përvjetorit, të bëhet dhe zbulimi i lapidarit, po tashmë pas ndërrimit të pushtetit nuk ka informacione se deri ku ka arritur projekti.
Për të parë se në cilën fazë ka arritur projekti për ngritjen e shtatores së Komandant “Drinit”, “Gazeta e Prizrenit” përmes postës elektronike i është drejtuar drejtorit aktual të Administratës, Osman Hajdarit, por nuk ka ka marrë ndonjë përgjigje.
Komandant “Drini” ishte ndër themeluesit e parë në Kosovës të Asociacionit të Veteranvë të Luftës, që më vonë ndërroi emrin në Organizata e Veteranëve.
Në Prizren, tashmë janë të vendosura shtatoret e Xhevat Berishës, Komandant Kumanovës, e Pal Palucës, ndërsa në Arbanë është perjetësuar Ismail Kryeziu.
Komandant Drini u vra para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në rrethana misterioze, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë. Në momentin kritik ai kishte dalë të ndezte veturën për të shkuar në punë, ndërsa ishte qëlluar me armë automatike, derisa po shikonte gomën e parë të veturës, nga ana e shoferit që ishte shpuar qëllimisht.
Për aftësitë e tij ushtarake për të janë thurur gjithfarë legjendash. Përmendet shpesh sidomos “kërcënimi” që si komandant i Zonës Operative të Pashtrikut ua kishte bërë oficerëve të KFOR-it gjermanë në momentin e hyrjes së UÇK-së në Prizren, se do të shkrinte 10 mijë ushtarët aq sa kishte thënë që ka, në rast se serbët që kishin bërë krime ndaj popullatës civile do të provonin të mbesin në Prizren.