26-04-2024

Prizreni ka pezulluar procesin e lëshimit të lejeve të ndërtimit

Ndërtimi i objekteve të reja në Prizren ka mbetur peng tash e një kohë nga një vendim i Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila kishte pezulluar përkohësisht planin zhvillimor urbanistik.

Për këtë shkas, asnjë objekt që është në plan për t’u ndërtuar nuk ka mundur të pajiset me leje ndërtimi, raporton KTV.

Vendimi i gjykatës kishte ardhur pas padisë që kishte bërë pronari i hekurudhave “Infrakosi” ndaj komunës, pasi shumë prona të hekurudhës u uzurpuan e më pas aty u ndërtuan në vazhdimësi objekte.

Një situatë e tillë ka bllokuar komunën e Prizrenit, udhëheqës të së cilës fajin ia hedhin qeverisjes së kaluar, e cila ka lejuar të ndodhin këto ndërtime.

Madje, në pronë të “Infrakosit” është asfaltuar edhe rruga që çon nga lagjja “Arbana” në dalje të Prizrenit.

Mytaher Haskuka, kryetar i Komunës, është i vendosur që t’i rrënojë objektet e uzurpatorëve por thotë se nuk e ka fuqinë i vetëm ta bëjë një gjë të tillë për shkak të mungesës së mjeteve.

Të martën, kryeministri Ramush Haradinaj, pas ankesës së Haskukës, iu kërkoi ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe ministres së Mjedisit, Albena Reshitaj, që të marrin masa për t’i dalë në ndihmë komunës së Prizrenit.

Komuna e Prizrenit po pret që më 14 qershor, kur është thirrur seanca lidhur me këtë çështje, gjykata të marrë një vendim të drejtë.

Nga 3 mijë padi që janë bërë në adresë të komunës nga persona fizikë dhe juridikë, 76 padi janë vetëm nga “Infrakosi” por komuna thotë se janë afër arritjes së një marrëveshjeje me ketë ndërmarrje publike.

Kohavisioni ka provuar të marrë një përgjigje nga drejtori i “Infrakosit”, Agron Thaçi, por ai nuk iu është përgjigjur thirrjeve të televizionit./koha.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.