Prizreni me kandidatë të shumtë për Parlament

Shkruan: Qazim Morina

Votuesit prizrenas kësaj radhe kanë mundësinë t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre për organin më të lartë legjislativ, në mesin e një numri kandidatësh nga subjekte të ndryshme politike, të cilët janë futur në garën elektorale për zgjedhjet e 6 tetorit.

Ndonëse ka edhe shumë femra, ndërsa konkurrojnë subjekte politike që përfaqësojnë komunitetin boshnjak, turk dhe atë RAE, nga partitë shqiptare nuk ka asnjë kandidatë të pavarur.

Nga ajo që shihet në listat e partive, kandidatët nga Prizreni mund të thuhet se janë ranguar mirë në lista, ndonëse si komuna e dytë, me një numër të madh votuesish, së paku nga një prej tyre është dashur të jetë në top-dhjetëshen e parë.

Nga subjektet shqiptare, më së larti nga prizrenasit në listat për deputetë është Albulena Balaj-Halimaj nga koalicioni NISMA-AKR, e cila sipas kriterit gjinor është radhitur e treta.

Çfarë përmbajnë listat:

Nga të gjitha partitë ka kandidatë, të cilët garojnë për herë të parë.

Pos Kujtim Gashit e Luljeta Veselaj-Gutajt, në PDK garës i kanë hyrë edhe Shaqir Totaj, Bear Berisha, Kadri Kryeziu, Ymrane Fusha e Urata Tahiri. Risi në këtë listë është Totaj, që katër muaj më parë është zgjedh në krye të partisë, pastaj djali i heroit, Xhevat Berisha, Beari që ka vendosur të kthehet nga Austria ku ka punuar.

Karakteristikë tjetër e kësaj liste është edhe Prorektori i UPZ-së K.Kryeziu, i cili pas një pushimi nga postet politike, kur kaloi si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, është rikthyer në partinë e mëparshme, aty ku pas luftës kishte vepruar, për të kaluar më pas në AAK.

Kandidate të reja në PDK janë edhe dy femra: Urata Tahiri e Ymrane Fusha. Po ashtu risi është edhe kandidati Novitet Nezaj nga Hasi.

Nga ish-deputetet e këtij subjekti ndërkaq në lista nuk janë Nezir Çoçaj që ka dhënë dorëheqje gjatë mandatit,  ndërsa Nait Hasani, nuk ka rikandiduar, pasi është emëruar ambasador në Shqipëri./GazetaePrizrenit.net/

P. S Vazhdon nesër: Shtatë kuvendarë prizrenas ia mësyjnë Parlamentit të Kosovës