Prizreni ndër komunat e fundit në vend për performancën për taksat dhe tarifat (dok)
Ndër segmentet e qeverisjes së dobët në Komunën e Prizrenit, që përmendetnë raportin e Zyrës Kombëtare të Audimit (ZKA) është edhe ajo për menaxhimin e të hyrave, ndërsa sa i përket performancës për Taksat dhe Tarifat, në nivel vendi, Prizreni ka dalë keq edhe në raportin studimor të USAID-it amerikan, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Gjetjet në Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare të Komunës së Prizrenit për vitin 2019 të ZKA-së, publikuar ditë më parë, kanë nxjerrë në pah një varg dobësish të qeverisjes lokale, një pjesë e të cilave janë potencuar nga opozita, mediat dhe shoqëria civile.
“Dobësi janë identifikuar në menaxhimin e të hyrave, menaxhimin e personelit, të shpenzimeve, menaxhimin e pasurive, rritje të vazhdueshme të llogarive të arkëtueshmeve dhe detyrimeve”, paraqitet ndër tjera në konkluzionet e Raportit të Audimit.
Lexo edhe:
Kryetari Haskuka, i mbyllur (dokument)
Në anën tjetër në raportin studimor “Indeksi i Konkurrueshmërisë së Komunave 2020” të USAID-it, ku paraqitet vlerësimi për performancë komunale, njëri nga 8 indekset e raportit është edhe ai për taksat dhe tarifat.
Ky nën-indeks reflekton përputhjen e bizneseve në lidhje me taksat dhe tarifat vendore në të gjitha komunat e Kosovës. Sipas ligjit aktual, autoritetet lokale janë përgjegjëse për të mbledhur vetëm tatimin mbi pronën. Megjithatë, qeveritë vendore sipas gjykimit të tyre mund të vendosin taksa dhe tarifa shtesë lokale për bizneset që operojnë brenda territorit të tyre.
Në raport thuhet se tatimet në Kosovë nuk perceptohen si pengesë për të bërë biznes, ndërsa nën-indeksi i taksave dhe tarifave e përbrendëson perceptimin e bizneseve mbi taksat dhe tarifat lokale dhe gjithashtu kap nivelin në të cilin bizneset e konsiderojnë të pranueshme informalitetin e lidhur me negocimin e taksave.
“Në një shkallë prej 1-10, rezultati maksimal prej 7.54 për nën-indeksin e taksave dhe tarifave është shënuar nga komuna e Mamushës, e ndjekur nga Gllogoci (7.50) dhe Malisheva (7.40)”, thuhet në raportin e USAID-it.
Në mesin e komunave të Kosovës, Prizreni rangohet në pjesën e poshtme të tabelës, në vendin 29 me 5.51, apo vetëm një pozitë larg “zonës së kuqe”, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.
Në raportin e USAD-it, thuhet se mesatarisht bizneset në Kosovë deklarojnë rreth 72% të shitjeve për qëllime tatimore krahasuar me 80 % vitin e kaluar. Shkalla në të cilën ndërmarrjet konsiderojnë komunikim joformal me zyrtarët komunal si të pranueshëm është rritur gjithashtu nga viti i kaluar.
Ndryshe, krahasuar me Komuna e Kosovës, Prizreni nuk ka dalë aspak mirë edhe sa i përket performancës së përgjithshme komunale, në matjet e bëra nga Ministria e Pushtetit Lokal, meqenëse është ranguar nën mesatare, duke zënë vendin e 23-të nga 36 komunat e përfshira. /GazetaePrizrenit.net/
Lexo edhe:
Komuna e Prizrenit del keq edhe në fushën e Infrastrukturës rrugore (Dokument)