08-05-2024

Prizreni në atmosferë festive për Vitin e Ri 2024

Prizreni duket në një atmosferë festive, në prag të ndërrimit të viteve, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Në orët e pasdites dhe të mbrëmjes, në qytet janë pakësuar lëvizjet, derisa një numër i qytetarëve shfrytëzuan kohën e mbetur për furnizime.

Qyteti ka dekorin e zakonshëm të festës.

Duket se natën e ndërrimit të viteve, prizrenasit do ta kalojnë kryesisht në shtëpitë e tyre.

Një pritje e tillë, madje me vetëm anëtarët e ngushtë të familjes është karakteristikë e viteve të fundit, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Për dallim nga vitet tjera, kur disa sosh me gjendje më të mirë ekonomike, ndërrimin e moteve, sidomos natën e dytë e të tretë e pritnin në lokale hoteliere, sivjet nga shtëpia në fokus është përcjellja e programeve televizive, të cilat tashmë përmes platformave kabllore janë të shumta.

Edhe kësaj radhe një pjesë të kohës, ata pritet ta kalojnë nëpër telefonat e mençur, duke përcjellë rrjetet sociale dhe postuar foto me urime.

Qytetarët po urojnë njëri-tjetrin për një vit sa më të mbarë. Tashmë dëgjohen edhe shkrepje të fishekzjarrëve.

Në kontekstin e ditëve festive, autoritetet kanë paralajmëruar marrjen e masave të nevojshme në institucionet kyçe, si polici, emergjencë, zjarrfikësit, etj.

Sonte, në sheshin “Shatërvan” mbahet koncert madhështor me grupe të njohura muzikore.

Në kontekstin e URIMIT,  edhe portali “Gazeta e Prizrenit” të gjithë lexuesve besnik, por edhe qytetarëve të tjerë ua uron një vit sa më të mbarë dhe të suksesshëm!

GËZUAR 2024!

Asnjë koment

Comments are closed.