01-05-2025

Prizreni: Nga fabrikat në tregje – një reflektim për Ditën e Punëtorëve

Dita e Punëtorëve në Prizren është një moment reflektimi dhe nderimi për historinë e punës dhe punëtorëve që kanë kontribuar në zhvillimin e këtij qyteti.

Prizreni ka pasur një traditë pune, gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë. Me fabrikat si Printeks, Famipa, Farmakos, Cona Sport – Komuna …, qyteti ka qenë një gjigand ekonomik, ku shumë punëtorë kanë dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e ekonomisë dhe industrisë së atëhershme.

Procesi i privatizimit të pasluftës për të cilin shpresohej se mund të vinte në lëvizje makineritë e fabrikave, nuk dha ndonjë shenjë shprese. Fabrikat u shndërruan në markete, hotele, depo, apo në vend të tyre u ngritën edhe ndërtesa afaristo – banesore.

Sot, qyteti mbështetet kryesisht në ndërmarrje të vogla dhe të mesme, veçanërisht në sektorin tregtar, ndërsa sektori prodhues është zvogëluar ndjeshëm.​ Megjithatë, qyteti vijon të funksionojë, ku shumë prej aktiviteteve ekonomike zhvillohen nëpër “tezga” dhe tregje, duke ruajtur traditën e punës, megjithëse në një formë më të thjeshtuar. Ka edhe disa kompani të njohura si ABI, FAT Group, Kabashi, Liri, etj.

Për dallim nga vitet e mëparshme, tash një numër i punëtorëve kanë migruar, ndërsa shumë të tjerë mendojnë ta marrin këtë rrugë. Pothuajse çdo i 3 – 4-ti dyqan përmes shpalljeve kërkon punëtorë.

Një sfidë e madhe tash është fakti se një pjesë e madhe e punëtorëve në sektorin privat punojnë pa kontrata pune, duke i lënë ata pa mbrojtje ligjore e të mos flasim për sigurime shëndetësore, që mungon edhe në atë publik.

Disa punëtorë përballen me kushte të pasigurta, ndërsa kanë humbur jetën në vendet e punës vitet e fundit në rajonin e Prizrenit. Prokuroria ka konfirmuar për Gazetën e Prizrenit se për raste të tilla ka ngritur katër aktakuza ndaj 14 personave, derisa një rast është në procedim.

Megjithatë, Dita e Punëtorëve është një mundësi për të nderuar të gjithë ata që kontribuojnë në zhvillimin e qytetit. Është një moment për të kërkuar përmirësime në kushtet e punës dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë. / Gazeta e Prizrenit

Asnjë koment

Comments are closed.