Prizreni rrit numrin e zjarrfikësve edhe për 30
Drejtori për Emergjencë dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, Faruk Dakaj, ka bërë të ditur se Shërbimit të Zjarrfikësve do t’i shtohen 30 zjarrfikës profesionistë. Ai ka vlerësuar se shtimi i numrit të zjarrfikësve do të përkthehet në më shumë siguri dhe mbrojtje për qytetarët e Prizrenit. Por njëkohësisht ka pranuar se as ky numër nuk është i mjaftueshëm për t’i plotësuar të gjitha nevojat e Komunës së Prizrenit sa i përket këtij shërbimi.
“Me kërkesën e vazhdueshme të Drejtorisë për Emergjencë dhe Siguri në Komunën e Prizrenit dhe përkrahjen e deputetëve të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët propozuan amendamentin, Komunës dhe brigadës sonë në Prizren u janë shtuar edhe 30 zjarrfikës të tjerë profesionalë”, ka bërë të ditur Dakaj, përmes rrjeteve sociale.
Ai ka shprehur qëndrimin se “kanë kaluar gati 50 vjet qëkur territorit të Komunës së Prizrenit nuk i është shtuar asnjë zjarrfikës shtesë, edhe pse numri i banorëve vazhdimisht është rritur që nga ajo kohë e deri me sot”./koha.net