03-05-2024

Ndërrohen shefat e reparteve në QKMF-në e Prizrenit

Ka nisur ndërrimi i shefave të reparteve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren. Derisa ky veprim i ndërmarrë nga menaxhmenti i ri nga disa shihet si politik, për zyrtarët shëndetësorë të Komunës së Prizrenit kjo bëhet shkak të një riorganizimi, pasi të “vjetërve” u ka skaduar afati, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Burime të portalit bëjnë të ditur se në QKMF tashmë janë ndërruar disa shefa, përfshirë atë të vaksinimit, radiologjisë, etj.

“QKMF e Prizrenit ka pasur një perfomancë shumë të mirë në nivel vendi, dhe për këtë është vlerësuar si shembull, por tashmë po ndërrohen koordinatorët dhe madje edhe disa të cilët janë konsideruar si të afërt me ish-menaxhmentin, e që realisht nuk ka qëndruar”, tha një nëpunës me kusht anonimiteti.

Pos shefave të kateve, në QMF janë edhe shefat e QMF-ve si në Lakuriq, QMF 1, në Gjonaj, Zhur, etj. Në shërbimin e shëndetit primar të Prizrenit, ku bën pjesë QKMF ekziston vetëm një pozitë e koordinatorit, të cilën tash e ushtron dr.Shkëndije Hoda.

Drejtori për Shëndetësi në Prizren, Visar Shehu ka thënë se Drejtoria ka marrë disa hapa lidhur me riorganizimin dhe rifunksionalizimin e njësive shëndetësore në shërbim të rritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe se në këtë kontekst ka qenë edhe “ndërrimi” i koordinatorëve të njësive shëndetësore.

“Në fakt të gjithë koordinatorëve të njësive si dhe kryeinfermierëve u ka skaduar mandati me 31.12.2018 dhe si rrjedhojë 80 % e stafit të mesëm (kryeteknikëve) në njësitë shëndetësore janë të njëjtit. Sa i përket koordinatorëve të njësive shëndetësorë ky raport është 40 me 60 në favor të ndërrimeve”, ka thënë për “GazetaePrizrenit.net” ai.

Shehu ka thënë se këto veprime janë bëre pas analizës së gjendjes se njësive shëndetësore e mbështetur në tri parime: të profesionalizmit, atë etik dhe në parimin e pranueshëmrisë.

Ditë më parë, ndërkaq ushtrues detyre i drejtorit të QKMF-së është emëruar dr. Xhevat Elezkurtaj, i cili në këtë post zëvendësoi ish-drejtorin dr. Mehmedali Gashi.

Po ashtu edhe Drejtoria Komunale e Shëndetësisë në Prizren tashmë është zhvendosur në mjedise të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren, duke shënuar kësisoj bartjen e parë të këtij sektori jashtë selisë së Komunës./GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.