Sipas të dhënave të prezantuara nga anëtarët e ekzekutivit të Komunës së Prizrenit, para kryetarit Mytaher Haskuka ka dalë se dikasteret e qeverisë lokale ende nuk e kanë shpenzuar as çerekun e buxhetit të planifikuar për këtë vit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Drejtuesit e Komunës kanë pranuar se i qëndrojnë realizimit të buxhetit, por, sipas tyre, ecuria nuk është alarmante, ngase tash e tutje prioritet do t’i jepet shpenzimit të mjeteve nga granti qeveritar ashtu që në fund të vitit të mos ketë suficit.
“Takimi i Ekzekutivit komunal është përqendruar në raportimin për realizimin e projekteve dhe shpenzimin e buxhetit komunal, për arsye se po vjen muaji qershor dhe duhet të përgatitemi për rishikimin e buxhetit”, ka thënë Haskuka, pas mbledhjes, e cila për herë të parë gjatë këtij mandati ka qenë e hapur për gazetarët dhe monitoruesit e shoqërisë civile. Sipas tij, në këtë mënyrë është kuptuar se cilat projekte po rrjedhin pa probleme, ku ka sfida dhe ku duhet orientuar rishikimi i buxhetit.
“Normalisht jemi pak prapa në aspektin e realizimit të buxhetit, por është viti i parë i qeverisjes dhe ne këtë buxhet e kemi trashëguar nga qeveria e kaluar”, ka deklaruar Haskuka.