Probleme të mëdha në Universitetin e Prizrenit – tensione mes Këshillit Drejtues e Ministrisë
Mbledhja e paraparë e Këshillit Drejtues në Universitetin e Prizrenit ka përfunduar gati para se të fillojë, për shkak të mospajtimeve dhe tensioneve të mëdha mes Këshillit Drejtues të Universitetit dhe Ministrisë së Arsimit.
Sipas Artan Nimanit, anëtar i Këshillit drejtues të Universitetit të Prizrenit “problemi qëndron se përfaqësues nga Ministria e Arsimit nuk janë të gatshëm që të respektojnë vendimet që të plotësohet bordi”.
Prandaj, mbledhja është shtyrë për një afat të pacaktuar.
Gjendja për momentin është e jashtëzakonshme, sepse nëse gjendja qëndron kështu si është, ka rrezik që shumica e programeve në UPZ të mos akreditohen fare, për shkak të mungesës së stafit akademik.
Kjo pasi, sipas Nimanit, ministri ka kërkuar që të bëhet ndërprerja e konkursit për angazhimin e stafit akademik dhe numri aktual nuk plotëson normat – tre profesorë për një program.
Universiteti i Prizrenit numëron rreth 17.000 studentë dhe shumicën e kohës është punuar me staf të angazhuar nga jashtë.
Mos plotësimi i numrit të stafit akademik do të përkthej në disfunksionalitet total të institucionit.
klankosova.tv