16-10-2019

Prokurori heq dorë nga aktakuza për korrupsion ndaj zyrtares së Bankës për Biznes, Dardania Susuri

Aktgjykimi ndaj saj, është shpallur pasi që prokurori i rastit, Metush Biraj, në seancën e së premtes ka hequr dorë nga ndjekja penale ndaj të akuzuarës Susuri.

Prokurori Biraj, ka deklaruar se nuk është vërtetuar se e akuzuara ka kryer një vepër të tillë penale.

“Nga të gjitha provat e administruara përmes dëgjimit të dëshmitarëve, palës së dëmtuar, provave tjera materiale dhe deklarata e të akuzuarës, nuk u vërtetua teza e aktakuzës se e njëjta ka bashkëkryer veprën penale shpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, prandaj në mungesë të provave hoqi dorë nga aktakuza”, ka thënë prokurori Biraj.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi, ka deklaruar se këtë çështje e konsideron të mbyllur, meqenëse prokurori ka hequr dorë nga ndjekja penale.

Para se prokurori Biraj, të hiqte dorë nga akuza, e akuzuara Dardania Susuri, e ka dhënë mbrojtjen e saj.

Duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të saj, avokatit Labinot Berisha, lidhur me rolin e saj, në Bankën për Biznes, për kohën që pretendohet se është kryer vepra në fjalë, e akuzuara Susuri, ka thënë se ajo nuk ka qenë përgjegjëse për lëshimin e kredive, pasi që kjo është kompetencë e drejtorit.

“Si oficere kreditore kam pasur për obligim që të pranojë kërkesat e klientëve  për kredi, unë në formular i kam plotësuar të dhënat bazë, ndërsa të dhënat për punëdhënësin i kanë shënuar vetë klientët, lëndën pas analizimit e kam dërguar tek komiteti i bankës”, ka thënë e akuzuara Susuri.

Në pyetjen e prokurorit Biraj, se përveç rolit të analistes kreditore, a ka qenë pjesë e komisionit, e akuzuara Susuri ka thënë se për lëndët e saj është vetëm si analiste.

“Për lëndën time jam vetëm si analiste, dhe se unë në lëndën e njëjtë nuk mund të vendosi edhe për lejimin apo moslejimin e kredisë, respektivisht për lëndën që e propozoj unë nuk mund të jem anëtare e komisionit për lejimin apo moslejimin e kredisë”, ka thënë Susuri.

Ajo ka deklaruar se kishin marr urdhër nga drejtori i degës për të aplikuar procedurën e përshpejtuar, rreth klientëve që kanë aplikuar për kredi.

Para se e akuzuara ta jepte mbrojtjen e saj, në cilësi të dëshmitarëve janë dëgjuar ish-kolegët e saj, Vullnet Latifi e Seladin Ujkani, si dhe të dëmtuarit, Flurim Rexhep, Samidin Dema, Meriton Mimari dhe Manush Bakaj.

Dëshmitari Vullnet Latifi, duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarës Susuri, avokatit Labinot Berisha, ka deklaruar se përgjegjës për dhënien e kredive është drejtori i degës, pasi që sipas tij, ai është udhëheqës i këshillit kreditor.

“Nuk lejohet dhe në aspektin operativ është e pamundur që ai person ose analist i kredive që propozon rastin në këshillin kreditor, ta aprovojë ose ta refuzojë në këshill kreditor lëndën pasi që këshilli kreditor përbëhet nga disa persona, mirëpo analisti kreditor i përgjegjshëm nuk e dërgon rastin në këshillin kreditor nëse nuk janë plotësuar kriteret e parapara me politikat dhe procedurat e bankës”, ka thënë ai.

Ndërsa, dëshmitari Seladin Ujkani, ka thënë se e akuzuara Susuri nuk ka mundur të lejonte  dhënien e kredive.

“Jo nuk ka mundur për shkak se aprovimi i kredive ka qenë kompetencë e drejtorit në nivel të degës, për shuma deri në 10 mijë euro, mbi ato shuma janë aprovuar nga zyra qendrore”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se gjatë vitit 2010, drejtor i degës së kësaj banke në Prizren ka qenë Armend Ibrahimi.

Ndërkaq, të dëmtuarit Flurim Rakipi, Samidin Dema, Meriton Mimari dhe Manush Bakaj kanë thënë se qëndrojnë pranë deklarimeve të tyre të dhënë gjatë shqyrtimit kryesor në gjykimin e Besnik Gërmizaj dhe Vlera Besimi, duke shtuar se këtu të akuzuarën Susuri nuk e kanë parë ndonjëherë.

Ata kanë deklaruar se nga ky rast ndihen të dëmtuar, pasi që zyrtarët e Bankës për Biznes, dhe përmbaruesit po kërkojnë kthimin e kredisë nga ta.

Të dëmtuarit kanë parashtruar kërkesën pasurore juridike, pasi që sipas tyre, ata janë të dëmtuar edhe në aspektin material dhe në aspektin jo material.

Më pas, sipas rrjedhës së kësaj seance, është dashur të vazhdohet me fjalën përfundimtare, mirëpo prokurori i kësaj çështje penale, Metush Biraj, ka thënë se do të tërhiqet nga akuza.

Me këtë, gjykatësja Ajser Skenderi, e ka shpallur të përfunduar këtë çështje, dhe siç ka bërë të ditur ajo, për këtë rast do të merr aktgjykim refuzues.

Ndryshe, prokurori Biraj, ka qenë përfaqësues i kësaj aktakuze të cilën e ka përpiluar ish-prokurori i krimeve të rënda, Bajram Hamitaga.

Për më tepër, në këtë rast, akuzoheshin gjithsej shtatë persona, mirëpo ndaj pesë prej tyre, Armend Ibrahimi, Fadil Gashi, Orhan Fetahu, Dardania Susuri, dhe Teuta Demiri, ishte veçuar procedura, ndërsa me 15 mars 2019, Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj Vlera Besimi dhe Besnik Gërmizaj, pasi prokurori ka hequr dorë nga ndjekja penale ndaj tyre.

Mirëpo, pas sigurimit të prezencës të të akuzuarës Dardania Susuri, është mbajtur gjykimi ndaj saj, ku gjykata ka marrë aktgjykim refuzues.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, të ngritur në maj të vitit 2014, ndaj Armend Ibrahimit, Fadil Gashit, Orhan Fetahut, Dardania Susurit, Teuta Demirit, Besnik Germizaj dhe Vlera Besimit, të njëjtit i ngarkon me veprat penale të “shpërdorimit të pozitës zyrtare”, “mashtrimit” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Armend Ibrahimi, si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Bankës për Biznes (BPB), dega në Prizren, në tetorin e vitit 2010, në kundërshtim me procedurat ligjore, i obligon tani të akuzuarit Dardania Susuri, Teuta Demiri, Vlera Besimi dhe Besnik Gërmizaj, që të bëjnë përgatitjen e dokumentacionit për dhënien e kredive për 26 punëtorë të kompanisë “Dili Comerce” në Prizren, pronë e të pandehurit Fadil Gashi, për shkak se punëtorët qenkan larg në terren, e nuk kanë mundësi për të shkuar, më pas duke e marr sasinë e konsiderueshme të mjeteve, me të cilën sipas akuzës, i shkakton dëm material të dëmtuarës (BPB), shumën prej 264.000 euro.

Me këtë, akuzohen se ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare, nga neni 339 paragrafi 3 të Kodit të Përkohshëm Penal.

Tutje, në aktakuzë thuhet se, Armend Ibrahimi, Fadil Gashi dhe Orhan Fetahu, me qëllim për t’i sjellin vetes apo personit tjetër dobi pasurore, i mashtrojnë personat tjerë me anë të paraqitjes së rreme, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, të njëjtit i bindin 26 punëtorët e kompanisë “Dili Comerce”, që ata të aplikojnë me nga 10 mijë euro kredi, me pretekst se këto kredi do të paguhen dhe garantohen me kolateral nga i akuzuari Fadil Gashi, i cili sipas akuzës nuk i ka kryer këto pagesa, me këtë duke i dëmtuar të dëmtuarit pasi që ata u obligonin që t’i përgjigjen bankës.

Me këtë, akuzohej se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të mashtrimit nga neni 261 par 1 e lidhur me nenin 23 të KPK.

Po ashtu, sipas akuzës, të pandehurit Ibrahimi, Gashi dhe Fetahu, akuzohen se kanë përpiluar dokumente të falsifikuara dhe me dije i kanë përdorur si origjinale, pasi që pa qenë fare prezent punëtorët e kompanisë “Dili Comerce”, në emër të tyre i kanë përpiluar, nënshkruar dhe vulosur kontratat e punës, me vulën e kompanisë në fjalë, pronë e të pandehurit Fadil Gashi.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryet veprën penale të falsifikimit të dokumentit nga neni 332 par 2 të KPK.

Në aktakuzë thuhet se, Dardania Susuri, Vlera Besimi, Teuta Demiri dhe Besnik Gërmizaj, të njëjtit si persona zyrtarë, në maj të vitit 2010, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, i kanë tejkaluar kompetencat e tyre, ashtu që në kundërshtim me procedurat kanë bërë hapjen e xhirollogarive të dëmtuarve, pa bërë analizat e duhura, kanë kompletuar dokumentacion përkatës për lëshim të kredive, pa qenë fare prezent të dëmtuarit, si dhe pa komunikuar me aplikuesit (në këtë rast të dëmtuarit), me këtë i shkaktojnë dëm material Bankës për Biznes (BPB-së), dega në Prizren në shumën prej 264.000 euro.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryetari kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 339 par 3 e lidhur me nenin 23 të KPK. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.