Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njoftoi se ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit me inicialet E.R. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale ‘’Mashtrimi’’ dhe ‘’Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike’’.
Sipas Prokurorisë, i njëjti ka keqpërdorur mjetet financiare të investuara nga një person tjetër, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm material në vlerë prej rreth 500.000 euro.

Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit është paraqitur pasi Prokuroria vlerëson se janë plotësuar kushtet ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale për caktimin e kësaj mase, me qëllim të sigurimit të pranisë së të dyshuarit në procedurë penale, zhvillimit të papenguar të hetimeve, si dhe parandalimit të rrethanave që mund të pengojnë zhvillimin e mëtejshëm të procedurës penale.

Prokuroria Themelore në Prishtinë deklaron se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave që bien ndesh me ligjin.

