20-04-2024

Prokuroria kërkon dënim ose rigjykim për Luan Statovcin, e liruar nga akuzat për korrupsion, mbrojtja kundërshton

Prokuroria Themelore në Prizren është ankuar në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prizren, e cila e kishte liruar nga akuzat për korrupsion, Luan Statovcin, drejtor i Drejtorisë për pagesa direkte në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR).

Me ankesën e saj drejtuar gjykatës së shkallës së dytë, organi i akuzës po kërkon që Statovci të shpallet fajtor për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare ose që rasti të kthehet në rigjykim.

Po ashtu, prokuroria ka kërkuar nga Apeli që edhe dënimet për 11 të akuzuarit tjerë në këtë rast, kryesisht fermerë, të ashpërsohen.

Gjykata Themelore në Prizren, në mars të këtij viti, Luan Statovcin e kishte liruar nga akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare, me arsyetimin se nuk është arritur të provohet fajësia.

Ndërsa, të akuzuarit për mashtrim me subvencione dhe falsifikim të dokumentit, Afrim Sallauka, Ermir Sallauka, Xhavit Sallauka, Iljaz Sopi, Alban Sopi, Veton Kabashi, Avni Palushi, Lulzim Palushi, Labinot Telaku, Xhemajli Sallauka dhe Fatos Hoti, ishin shpallur fajtorë dhe ishin dënuar me nga 300 euro për secilën pikë të aktakuzës.

I akuzuari Afrim Sallauka ishte dënuar me 1200 euro, të akuzuarit Ermir Sallauka, Lulzim Palushi dhe Xhemajli Sallauka ishin dënuar me nga 900 euro, të akuzuarit Veton Kabashi, Avni Palushi, Xhavit Sallauka, dhe Labinot Telaku, ishin dënuar me nga 600 euro, ndërsa të akuzuarit Iljaz Sopi, Alban Sopi dhe Fatos Hoti, ishin dënuar me nga 300 euro.

Të kënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë kanë mbetur të akuzuarit të cilën nuk kanë ushtruar ankesë ndaj tij, mirëpo, e pakënaqur me këtë aktgjykim ka mbetur prokuroria.

Si kundërthënës me arsyet dhe provat të tjera e ka konsideruar dispozitivin e aktgjykimit të shkallës parë prokuroria në ankesën e saj.

“Prokurori i Shtetit mendon se konstatimi i Gjykatës që i akuzuari Luan Statovci të lirohet nga akuza, është i gabueshëm ngase nga provat e parashtruara nga Prokurori i Shteti e në të cilat është bazuar aktakuza janë të mjaftueshme dhe vërtetojnë se në veprimet e të akuzuarit Luan Statovci qëndrojnë elemente esenciale të veprës penale për të cilën është akuzuar”, thuhet në ankesën e prokurorisë.

Tutje, sipas ankesës së prokurorisë, gjykata e shkallës së parë ka krijuar bindje të gabueshme dhe nuk e ka vërtetuar drejtë gjendjen faktike dhe gabimisht i ka besuar disa fakteve të cilat as që kanë ekzistuar.

Po ashtu, siç pretendon prokuroria, gjykata e ka liruar të akuzuarin Statovci gabimisht duke u bazuar vetëm në deklarimet e tija, njëkohësisht, sipas prokurorisë, duke e shkelur kështu ligjin penal në dobinë e të akuzuarit.

Sa i përket dënimeve për të akuzuarit tjerë, prokuroria ka theksuar në ankesën e saj, se të njëjtat janë dënime të ulëta, e të cilat po krijojnë praktikë të keqe dhe po e ulin numrin e pranimit të fajësisë gjatë shqyrtimit gjyqësor në përgjithësi.

Prezent në seancën e së premtes në Apel, ishte vetëm i akuzuari Statovci dhe mbrojtësi i tij Naim Rudari.

Ky i fundit tha se Gjykata Themelore në Prizren ka nxjerr një shumë të drejtë dhe kësisoj, i propozoj kolegjit të Apelit që të refuzon ankesën e prokurorisë dhe të vërtetojë aktgjykimin e shkallës së parë.

Ndryshe, ky rast zhvillohej në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, me të cilën të pandehurit akuzoheshin se kanë falsifikuar dokumentin “Certifikata e vreshtarit” për të përfituar subvencione shtetërore, në mënyrë të paligjshme.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke u paraqitur rrejshëm në MBPZHR si kultivues të vreshtave, kanë përdorur “Certifikatat e vreshtarit” të falsifikuara, me ç’rast kanë përfituar subvencione në shumë deri 3 mijë euro, secili.

Ndërsa, zyrtari për pagesa në MBPZHR, Luan Statovci, akuzohej se pa verifikuar dokumentet e fermerëve dhe gjendjen në teren, ka lejuar të ekzekutohen pagesa direkte në emër të subvencioneve për aplikantët, me ç’rast i ka shkaktuar buxhetit të shtetit humbje në vlerë prej rreth 30 mijë euro.

Sipas organit të akuzës, Luan Statovci ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ndërsa të akuzuarit tjerë, veprën penale të mashtrimit me subvencione dhe falsifikimit të dokumentit.

Në këtë rast ka qenë i akuzuar për mashtrim me subvencione edhe Ardit Bajraktari nga Suhareka, por i njëjti, gjatë shqyrtimit fillestar, ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me gjobë prej 1400 euro./betimiperdretjesi

Asnjë koment

Comments are closed.