20-04-2024

Prokuroria propozon dy dëshmitarë të rinj, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për vjedhje të arit

Sot, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, është shtyrë shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve për vjedhje të rëndë, Abedin Morina, Besim Bytyqi, Besnik Bytyqi dhe Mërgim Berisha.

Propozimin për shtyrjen e kësaj seance e ka bërë prokurori Kastriot Memaj, me arsyetimin se duhet të ftohen dy dëshmitarë të cilët kanë dhënë dëshmi në Polici, mirëpo nuk janë propozuar në aktakuzë.

“Meqenëse në shkresat e lëndës vërehet se ekzistojnë dy deklarata të dëshmitarëve Bjaram Vrenezi dhe Maxhun Morina, të cilët kanë dhënë deklaratë lidhur me rastin në Polici e të cilët nuk janë propozuar në aktakuzë si dëshmitarë, propozoj që seancën e ardhshme të ftohen Bajram Vrenezi dhe Maxhun Morina”, tha prokurori Memaj.

Propozimin e prokurorit e kanë mbështetur të gjitha palët gjyqësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi i çështjes, Njazi Morina ka aprovuar propozimin e prokurorit, ku me ftesë të rregullt do të ftohen dëshmitarët Bajram Vrenezi dhe Maxhun Morina.

Seanca e radhës është caktuar më 15 shtator 2021, në ora 10:35.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 24 prill 2013 ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve Abedin Morina, Besim Bytyqi, Besnik Bytyqi dhe Mergim Berisha, me arsyetimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale “vjedhje e rëndë” në bashkëkryerje nga neni 253, paragraf 1, pika 1, lidhur me nenin 23, të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, të akuzuarit në bashkëkryerje, më 3 tetor 2012, rreth orës 15:00, në fshatin Astrazub, Komuna e Malishevës, saktësisht në shtëpinë e të dëmtuarit, tani i ndjeri I. E., marrin pasurinë e luajtshme, duke thyer me forcë derën e shtëpisë, ku hyjnë brenda dhe vjedhin sasi të arit, me të cila veprime i shkaktojë të dëmtuarit I.E., dëme të konsiderueshme materiale.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se të akuzuarit në bashkëkryerje, me 7 tetor 2012, rreth orës 20:00-21:00, në fshatin Marali, Komuna e Malishevës, saktësisht në shtëpinë e të dëmtuarit Sali Vrenezi, marrin pasurinë e luajtshme, duke thyer me forcë derën e shtëpisë, ku hyjnë brenda dhe vjedhin sasi të arit, me të cila veprime i shkaktojë të dëmtuarit Vrenezi, dëme të konsiderueshme materiale.

Tutje, sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, të akuzuarit në bashkëkryerje, me datën 8-9 tetor 2012, në kohë të pacaktuar, në fshatin Marali, Komuna e Malishevës, saktësisht në shtëpinë e të dëmtuarit Hamdi Vrenezi, marrin pasurinë e luajtshme, duke thyer me forcë derën e shtëpisë, ku hyjnë brenda dhe vjedhin katër motor sharrë dhe një makinë elektronike për shpuarje, me të cilat veprime kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Kurse, sipas dispozitivit të katërt të aktakuzës, të akuzuarit në bashkëkryerje, më 31 tetor 2012, në kohë të pacaktuar, në fshatin Shkozë, Komuna e Malishevës, saktësisht në shtëpinë e të dëmtuarit Setki Bytyqi, marrin pasurinë e luajtshme duke thyer me forcë dritaren e shtëpisë, ku hyjnë brenda dhe vjedhin sasi të konsiderueshme të arit, me të cila veprime shkaktojnë dëme të konsiderueshme materiale.

Ndërsa, sipas dispozitivit të pestë të aktakuzës, të akuzuarit në bashkëkryerje, më 19 tetor 2012, rreth orës 20:00, në fshatin Astrazub, Komuna e Malishevës, saktësisht në shtëpinë e të dëmtuarit Bedri Morina, marrin pasurinë e luajtshme duke thyer me forcë derën e shtëpisë, ku hyjnë brenda dhe vjedhin sasi të konsiderueshme të arit, me të cila kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.