05-11-2024

Prokuroria tërheq akuzën ndaj Sali Ademajt, drejtorit të gjimnazit 2 në Prizren

Sali Ademaj, drejtor i gjimnazit “Remzi Ademaj” në Prizren prej sot nuk ka ndjekje penale. Prokurorja e shtetit pranë Prokurorisë Themelore (PTH) në Prizren hoqi dorë nga akuza, për mungesë provash për kryerje të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar, gjatë ekskursionit të maturantëve për në Durrës, transmeton “gazetaeprizrenit.net’.

Prokuroria Themelore në Prizren, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sali Ademajt dhe Hamdi Zymerajt, të cilët i akuzonte se duke qenë anëtarë të komisionit për përzgjedhjen e ofertave për ekskursion të maturantëve të shkollës “Remzi Ademaj”, kanë zgjedhur ofertuesin më të shtrenjtë.

Sipas aktakuzës, me këtë veprim, të akuzuarit kanë shkelur Udhëzimin Administrativ (UA) 3/2015, sipas të cilit duhej të zgjidhej operatori me i përshtatshëm ekonomik.

Mbrojtësi i tij, avokati Hazër Susuri, konfirmoi për portalin “gazetaeprizrenit.net” se prokurorja Ervehe Gashi ka hequr dorë pasi super ekspertiza financiare ka vërtetuar se çdo gjë ishte në rregull dhe se është respektuar UA i vitit 2014, duke e përzgjedhur operatorin që ka konkurruar me kriterin e ofertës ekonomikisht më të favorshme.

“Në  ekskursionin e nxënësve për në Durrës është vendosur në mënyrë ligjore në suaza të UA dhe ligjit për Prokurim Publik. Në këtë drejtim Ademaj, nuk i ka lënë pas dore interesat dhe qëllimet e shërbimit ose ato nuk i ka zëvendësuar me interesat e veta apo të personit tjetër”, ka thënë ai.

Sipas Susurit, në këtë rast askush nuk është dëmtuar dhe në këto baza Prokurorja Gashi është tërhequr nga akuza kundër Ademajt dhe Hamdi Zymerajt, anëtarë të komisionit për ofertën e tenderimit.

Zymeraj nuk ka punuar në arsim apo në ndonjë shkollë, por  vetëm si prind, ka qenë në këshillin e shkollës.

Ndryshe edhe gjatë seancave shqyrtuese gjyqësore, të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare, e kanë kundërshtuar aktakuzën si të pabazë, duke thënë se nuk mbështetet në prova konkrete./gazetaeprizrenit.net/

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.