Komuna e Prizrenit, ka vendosur që t’ia ndalë punimet e një ndërtese kompanisë “Abi Center’, për shkak se kjo kompani e ka tejkaluar lejen e dhënë nga komuna. “Abi Cnter”, pronë e Irfan Fushës, ish-kandidat i PDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës, 35% të objektit në rrugën Tirana, e ka ndërtuar jashtë lejes së dhënë nga komuna. Madje, sipas sipas Komunës së Prizrenit, kjo kompani e ka tejklauar lejen ndërtimit të dhënë nga komuna, duke ndërtuar në hapsirën që është paraparë për rrugë qarkulluese.
“Ndër problemet më të theksuara që i ka trashëguar Komuna e Prizrenit janë ndërtimet pa leje dhe ato në kundërshtim me rregullat dhe ligjin. Drejtoria e Inspektoratit që nga fillimi, është duke i identifikuar të gjitha këto raste pa përjashtim, ndër to edhe rastin e një qendre tregtare në ndërtim e sipër, në rrugën Tirana. Investitori i këtij objekti, përveçse nuk i është përmbajtur lejes së ndërtimit, ka bërë shkelje edhe në projektin e infrastrukturës së qytetit. Një pjesë e këtij objekti është duke u ndërtuar në hapësirën e paraparë për rrugë qarkulluese. Pasojat e ndërtimeve të këtilla kanë ngulfatur qytetin, prandaj inspektorët komunalë kanë kërkuar nga investitori që t’i ndalë punimet duke ia ofruar mundësinë për revidimin e lejes ekzistuese”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.
Inspektorët e Komunës së Prizrenit, i kanë shqiptuar gjobë kompanisë ‘Abi Center’, për shkak se sipas tyre, ai ka bërë shkelje duke ndërtuar në hapsirën që ishte e destinuar për qarkullim rrugor.
Vendimi i Inspektoriatit të Komunës së Prizrenit për objektin e ‘Abi Center’ në rrugën Tirana, ku thuhet se 35% të tij është i ndërtuar pa leje
Insajderi ka tentuar që të komunikojë me zyrtarët e kompanisë ‘Abi Center’, por që ata nuk janë përgjigjur.
“Abi Center do të mund ta shfrytëzojë pjesën tjetër të objektit, pra pjesën që ka leje. Kurse, këtë 35%shin, nuk mund ta lëshojë në përdorim, deri në vendimin tjetër të drejtorisë së Urbanizmit”, ka thënë Thaqi.
Ai ka shtuar se lejen e ndërtimit e ka marrë në kohën sa PDK ka qenë në pushtet, dhe ndërtimet e objektit kanë filluar në vitin 2017.
“Lejen e ndërtimin e ka marrë në vitin 2016 apo 2017. Por, fillimi i ndërtimit ka nis më 2017. Atëherë kur PDK ishte kishte pushtetin në Prizren”, ka thënë Thaqi.
Pronari i “Abi Center”, Irfan Fusha, është anëtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës. Ai në zgjedhjet e vitit 2014 kishte qenë kandidat i PDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës, por që nuk kishte arritur që t’i fitojë votat e mjaftueshme për t’u ulur në ulësen e deputetit. Fusha njihet edhe si person shumë i afërm me ish-kryetarin e Prizrenit, Ramadan Muja, i cili është dënuar me dy vjet me kusht, për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, sa ishte në ulësen e kryetarit të Prizrenit./Insajderi.com