12-12-2024

Pse komuna ia ndaloi ndërtimin kompanisë “Abi” në Prizren?

Komuna e Prizrenit, ka vendosur që t’ia ndalë punimet e një ndërtese kompanisë “Abi Center’,  për shkak se kjo kompani e ka tejkaluar lejen e dhënë nga komuna. “Abi Cnter”, pronë e Irfan Fushës, ish-kandidat i PDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës, 35% të objektit në rrugën Tirana, e ka ndërtuar jashtë lejes së dhënë nga komuna. Madje, sipas sipas Komunës së Prizrenit, kjo kompani e ka tejklauar lejen ndërtimit të dhënë nga komuna, duke ndërtuar në hapsirën që është paraparë për rrugë qarkulluese.

“Ndër problemet më të theksuara që i ka trashëguar Komuna e Prizrenit janë ndërtimet pa leje dhe ato në kundërshtim me rregullat dhe ligjin. Drejtoria e Inspektoratit që nga fillimi, është duke i identifikuar të gjitha këto raste pa përjashtim, ndër to edhe rastin e një qendre tregtare në ndërtim e sipër, në rrugën Tirana. Investitori i këtij objekti, përveçse nuk i është përmbajtur lejes së ndërtimit, ka bërë shkelje edhe në projektin e infrastrukturës së qytetit. Një pjesë e këtij objekti është duke u ndërtuar në hapësirën e paraparë për rrugë qarkulluese. Pasojat e ndërtimeve të këtilla kanë ngulfatur qytetin, prandaj inspektorët komunalë kanë kërkuar nga investitori që t’i ndalë punimet duke ia ofruar mundësinë për revidimin e lejes ekzistuese”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.

Inspektorët e Komunës së Prizrenit, i kanë shqiptuar gjobë kompanisë ‘Abi Center’, për shkak se sipas tyre, ai ka bërë shkelje duke ndërtuar në hapsirën që ishte e destinuar për qarkullim rrugor.

“Përkundër kësaj mundësie, punët kanë vazhduar në mënyrë të kundërligjshme. Prandaj, inspektorët komunalë sërish kanë intervenuar dhe kanë shqiptuar gjobë sipas udhëzimit administrativ. Mbi 35% të ndërtimit të këtij objekti është jashtë kordinatave të lejes ndërtimore, për më tepër është mbyllur edhe rruga qarkulluese e paraparë me plan urbanistikKomuna është e interesuar që të ketë sa më shumë investime, por investimet duhet t’I përmbahen ligjit dhe rregullave të parapara. Nuk mund të ketë zhvillim pa e respektuar rendin dhe ligjin”, thuhet në reagimin e Komunës.

Vendimi i Inspektoriatit të Komunës së Prizrenit për objektin e ‘Abi Center’ në rrugën Tirana, ku thuhet se 35% të tij është i ndërtuar pa leje

Insajderi ka tentuar që të komunikojë me zyrtarët e kompanisë ‘Abi Center’, por që ata nuk janë përgjigjur.

Kurse, Drejtori i Inpektoratit në Komunën e Prizrenit, Islam Thaqi, ka thënë për Insajderi, se kompania “Abi Center”, mund ta lëshojë në përdorim pjesën tjetër të objektit, por jo atë pjesën për të cilën nuk posedon leje. Ai shtoi se së shpejti do të merret vendim se çka do të bëhet me 35%shin e objektit, që sipas tij, “Abi Center” ka ndërtuar pa posedim të lejes ndërtimore.

“Abi Center do të mund ta shfrytëzojë pjesën tjetër të objektit, pra pjesën që ka leje. Kurse, këtë 35%shin, nuk mund ta lëshojë në përdorim, deri në vendimin tjetër të drejtorisë së Urbanizmit”, ka thënë Thaqi.

Ai ka shtuar se lejen e ndërtimit e ka marrë në kohën sa PDK ka qenë në pushtet, dhe ndërtimet e objektit kanë filluar në vitin 2017.

“Lejen e ndërtimin e ka marrë në vitin 2016 apo 2017. Por, fillimi i ndërtimit ka nis më 2017. Atëherë kur PDK ishte kishte pushtetin në Prizren”, ka thënë Thaqi.

Pronari i “Abi Center”, Irfan Fusha, është anëtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës. Ai në zgjedhjet e vitit 2014  kishte qenë kandidat i PDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës, por që nuk kishte arritur që t’i fitojë votat e mjaftueshme për t’u ulur në ulësen e deputetit. Fusha njihet edhe si person shumë i afërm me ish-kryetarin e Prizrenit, Ramadan Muja, i cili është dënuar me dy vjet me kusht, për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, sa ishte në ulësen e kryetarit të Prizrenit./Insajderi.com

Asnjë koment

Comments are closed.