Përfaqësues të opozitës në Prizren kanë hedhur një mal kritikash ndaj qeverisjes lokale të Mytaher Haskukës, duke e akuzuar atë për një varg dështimesh, që nisin nga përzgjedhja e konkursit për drejtorë shkollash, ngecjet në investime kapitale, politizimin e klubit Liria, sikurse edhe punësimin e militantëve joprofesional partiak, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Siç dihet nga janari i këtij viti në Prizren udhëheq Vetëvendosja, në koalicion me LDK-në, Nismën Socialdemokrate dhe partitë turke KDTP dhe atë boshnjake NDS. Opozita kritikon se ekzekutivi nuk ka arritur t’i realizojë as projektet e trashëguara, duke vlerësuar si dështim të saj marrjen me të kaluarën pa shikuar asgjë përpara.
Simir Krasniqi, shef i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, që përbën më të madhin në KK të Prizrenit, punën e qeverisjes lokale jo vetëm që e vlerëson si të dështuar, por thotë se dështimet nuk kanë të ndalur. “Dështimet nisin nga DKA me përzgjedhjen e drejtorëve dhe anulimit të konkursit për pazare politike të koalicionit. Ka ngecje në investimet kapitale, ku gjatë këtij viti një numër i madh i projekteve as që kanë filluar, ndërsa është e madhe mundësia e dështimit të projekteve tjera të parapara për 2018-ën”, ka thënë ai.
Si dështim të kësaj qeverisje ai sheh edhe emërimin në menaxhmentin e klubit futbollistik Liria, “të militantëve partiak dhe aspak profesionistë, derisa klubi ndodhet në gjendjen më të keqe se asnjëherë”.
Kuvendarja e PDK-së, Sherife Balaj, ndërkaq shprehet se për ta vlerësuar qeverisjen lokale, mjafton të shikohet realizimi i buxhetit për periudhën janar-qershor 2018, ku shihet një zbehje totale e investimeve kapitale, ngecje të projekteve dhe anulim të tenderëve të planifikuar, derisa realizimi i buxhetit është vetëm 38 %, për dallim nga e njëjta periudhë e vitit 2017 që ishte 47 % .
“Tek investimet kapitale prej 20.562.915 €, këtë vit kemi të realizuar vetëm 5.968,611 € ose 29 %, ndërsa në 2017 realizimi ishte 51%. Kanë anuluar projekte të nevojshme për qytetarët, sikur projektin për shëndetësi primare, të financuar nga “Caritas” dhe dy ministri (MPMS, MSh)”, ka thënë Balaj, që në qeverisjen e kaluar ishte drejtoreshë për Mirëqenie sociale.
Për dështime të qeverisjes Haskuka flasin edhe në partinë tjetër opozitare, AAK, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.
Ilir Baldedaj, shefi i Grupit të Këshilltarëve në KK, thotë se ekzekutivi në Prizren, përveç se është treguar i paaftë për të krijuar politika udhëheqëse nuk ka arritur t’i realizojë as projektet e trashëguara, ndërsa dështimi më i madh është marrja me të kaluarën pa shikuar asgjë përpara.
Asambleistja e AAK-së, Agnesa Sinanaj, shprehet se në njërën anë pushteti ka bërë shpenzime enorme, përfshirë edhe ato për dreka e darka, aq sa mund të thuhet se është “qeverisje luksi”, derisa në anën tjetër ka dështim në mbledhjen e të hyrave vetanake, ku në 6 mujorin e parë ka përqindje shumë të vogël të realizimit, krahasuar me vitin e kaluar.
Balaj e PDK-së ndërkaq si dështime të mëdha të Haskukës konsideron edhe mosrealizimin e premtimeve gjatë fushatës, si atë për 50 % të ekzekutivit femra (vetëm 2 prej 13 sosh), dhe zvogëlimin e numrit të drejtorive, derisa “janë shtuar këshilltar apo zëvendësdrejtorë.
Sa i përket punës së tashme në sektorin e mirëqenies sociale, ajo thotë se nga 1.559.037 € deri tani janë shpenzuar vetëm 453.253 €, ndërsa ka projekte shumë të rëndësishme për qytetarë, që kanë nisur nga qeverisja e kaluar si: Shtëpia e pleqve, Banesat sociale, Materialet Ndërtimore, Subvencionet me dru dhe me pako ushqimore, Shpenzimet e varrimeve, etj.
Baldedaj ka kritika për siç thotë shkelje të vazhdueshme të ligjit nga ana e qeverisjes. “Nga padija e paaftësia apo me qëllim qeveria lokale po bie në grackat që po mundohet t’ua përgatit të tjerëve dhe vazhdimisht e shkel ligjin. Ajo nuk e ka nis ende asnjë projekt për të vlerësuar nëse po respekton ligjet, por ligjin po e shkel duke iu bërë gracka të tjerëve si në rastin e çerdhes Yllka”, tha ai.
Opozitarët flasin edhe për dështime të tjera të ekzekutivit. Në këtë kontekst, Krasniqi nga PDK përmend edhe “injorimin” dhe mos ftesën e grupeve kulturo-artistike dhe ansambleve të komunës së Prizrenit për festat e qershorit”. “Dështim ka edhe në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ku ka pasur rrënim të disa shtëpive, pa njoftim të Qendrës rajonale për Trashëgimi”, tha ai.
Opozitarët njëzëri kritikojnë pushtetin edhe për punësime në komunë të personave jo profesionistë, militantë të partive në pushtet, pa kontrata dhe kontrata mbi vepër, ndërsa si dështim e konsiderojnë edhe mos mbajtjen e disa festivaleve, sikurse “Zambaku i Prizrenit”, etj, si dhe mungesën e ndonjë projekti të veçantë për gra./GazetaePrizrenit.net/
P.S
Në shkrimin e nesërm, “GazetaePrizrenit.net” sjell vlerësimet e përfaqësuesve të partive në pushtet për punën e qeverisjes lokale.