26-04-2024

Pse s’është nënshkruar projekti për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit?

Ministria e Infrastrukturës nuk arriti ta nënshkruajë kontratën për hartimin e projektit zbatues për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit, transmeton Koha.net.

Kjo pasi OSHP-ja ka gjetur shkelje të mëdha në këtë proces. Vlera e kontratës arrin në 1 milion euro.
Ministria e Infrastrukturës është duke planifikuar ndërtimin e autostradës së Dukagjinit, e cila do të jetë e gjatë 91 kilometra dhe do të nisë nga Istogu, për të kaluar në Pejë, Deçan e Gjakovë, derisa fundi i saj do të jetë Prizreni.

Tashmë ka hapur edhe procedurat për hartimin e projektit zbatues për ndërtimin e kësaj autostrade, por pavarësisht që kishte zgjedhur fituesin, kontrata nuk ka arritur të finalizohet.

Autoriteti Kontraktues i saj ka shkelur procedurat e prokurimit, duke përshtatur apo duke bërë diskriminim në përzgjedhjen e operatorit ekonomik që do ta hartojë atë.

Ministria e Infrastrukturës kishte përzgjedhur si fitues grupin e Operatorëve Ekonomik: N.N. “Infra – Plus”; N.T.SH. ” Infratek “.

Sipas vendimit të OSHP-së, i cili është marrë pas ankesës që ka bërë operatori ekonomik “Eng. Idea&Lorenco&Co”, ka dalë që Autoriteti Kontraktues ka shkelur disa prej neneve të ligjit për prokurimin publik, duke modifikuar dhe zbutur kriteret, të cilat nuk kanë qenë të publikuara fare në njoftimin për kontratë dhe dosjen e Tenderit.

Paneli Shqyrtues i OSHP-së ka tërhequr vërejtjen para së gjithash se Ministria e Infrastrukturës nuk e ka respektuar kriterin bazë që është përzgjedhja e operatorit të përgjegjshëm me çmimin më të ulët, i përcaktuar sipas nenit 60 të Ligjit për Prokurimin Publik.

OSHP-ja i ka rikujtuar Ministrisë së Infrastrukturës së duhet marrë për bazë edhe neni 1 i këtij ligji, i cili thotë se ligji është bërë për të siguruar mënyrën me efikase, transparente dhe të drejtë të shfrytëzimit të parasë publike.

Pronari i “Infra –Plus”, bazuar në rrjetet sociale, është mbështetës i AAK-së.

Kohavisioni ka provuar të vë kontakt me Musa Islamajn, por ai nuk është përgjigjur në telefon.

Kohavisioni ka kontaktuar Ministrinë e Infrastrukturës, për të marrë një përgjigje se për çfarë arsye u shkelen rregullat e përcaktuara me Ligjin për Prokurimin Publik në Kosovë dhe nëse kompania u zgjodh në bazë të kriterit partiak.

KTV-ja ka provuar të kontaktojë edhe me zyrën e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës por askush nuk është përgjigjur në numrin e kontaktit që është shënuar në njoftimin për dhënien e kontratës.

Po ashtu është kontaktuar edhe kompania ankuese, e cila u diskriminua në këtë proces, por zyrtarë të saj kanë vlerësuar se deklarimi i tyre në këtë fazë mund të pengojë procesin e rivlerësimit të kontratës.

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.