Njëri nga anëtarët më të vjetër të Kuvendit Komunal të Prizrenit, Fatmir Kastrati nga radhët e AAK-së ka shprehur pakënaqësi rreth punës së institucionit më të lartë komunal, duke thënë se rëndësia dhe nami i tij po zbehet, ndërsa sipas tij përbërja e fundit ka degraduar nga çdo gjë që quhet normale.
Ai nëpërmes një postimi në “facebook” ka shkruar:
“Kuvendi Komunal i Prizrenit është institucioni me i lartë vendimmarrës dhe substancialisht rregulluesi i jetës së qytetarëve.
Fatkeqësisht rëndësia dhe nami i tij po zbehet. Që nga viti 2007 jam votuar nga qytetaret të jem pjesë e Kuvendit Komunal. Qe 13 vite si Këshilltar Komunal, kam pasur rastin të bashkëpunoj me shumë veprimtar, anëtar të kuvendit, nga të gjitha partitë që e kanë pasur të qartë rolin e tyre.
Mirëpo, kjo përbërja e fundit ka degraduar nga çdo gjë që quhet normale. Ka kaluar limitet e asaj që quhet politikbërje. Këshilltarët e rinjë, si duket nuk po e kanë të qartë rolin e tyre në Kuvend, as teorikisht e lëre me në praktikë.
Partitë politike po i mbushin listat me njerez që nuk janë adekuat as për të qenë në listë e lëre më të jenë pjesë e Kuvendit, e kjo po ndikon që edhe zhgënjimi e mosbesimi qytetar të rritet. Mungesë totale e respektit, si nga këshilltarët ndaj njeri tjetrit, por edhe ndaj institucionit e njerëzve që përfaqësojnë, pa e pasur të qartë rëndësinë e fjalës publike.
Edhe në oda të burrave ka pasur rend dhe respekt kur dikush e ka marrë fjalën. Sot ne Kuvendin Komunal flitet, ndërhyhet pa rend, pengohen këshilltarët gjatë fjalës së tyre. Kjo po ndodh pa dallim, nga pothuaj te gjithë këshilltarët, nga kryesuesi, e aq më keq edhe nga drejtorët e ekzekutivit!!! Duhet të reflektojmë, t’ja kthejmë Kuvendit Komunal rëndësinë dhe rolin qe e ka”, ka shkruar Kastrati./GazetaePrizrenit.net