Pse u shpallën të vdekur 363 shqiptarë  dhe 2 serbë në Prizren?

365 persona, prej tyre 2 serbë të zhdukur para dhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, shumica nga fshati Krushë e Vogël, me kërkesë të familjarëve të tyre janë shpallur të vdekur nga Gjykata Themelore (GJTH) në Prizren, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

Shumica e tyre janë nga lokalitetet, të cilat përjetuan më shumë tmerrin e forcave ushtarake serbe gjatë luftës. Ata u takojnë të dyja gjinive, ndërsa mosha e tyre nis nga 14 vjeç e lartë, por ka pasur edhe raste të pleqërisë së thellë.

Afërdita Kicaj, zyrtare për informim në kuadër të GJTH-së, tha se njëra ndër arsyet kryesore që detyron familjarët për kërkesa të tilla është zgjidhja e çështjeve të ndryshme të trashëgimisë, pastaj të pensioneve, ajo e rregullimit të statutit martesor etj.

“Pos të zhdukurve, këtu bëjnë pjesë edhe persona, për jetën e të cilëve gjatë pesë vjetëve të fundit nuk ka pasur kurrfarë informatash, derisa mosha e tyre ka kaluar 65 vjet”. Ka thënë ajo për portalin “GazetaePrizrenit”.

Nga 365 sa është numri i përgjithshëm i personave të shpallur si të vdekur, 128 janë nga qyteti, ndërsa të tjerët nga Krusha e Vogël, rajoni i Hasit, Vrrinit, pastaj nga fshatrat Landovicë, Randobravë, Piranë, Struzhe, Manastricë.  Një person është nga Mamusha, derisa një mashkull dhe një femër nga Prizreni janë serbë.

Komuna e Prizrenit është ndër më të dëmtuarat gjatë luftës në Kosovë. Përveç shkatërrimeve materiale, këtu kanë humbur jetën edhe shumë njerëz. Mbështetur në shënimet e KMDLNJ-së, nga ky rajon kanë humbur jetën rreth 500 persona.

Sipas ligjit, një person shpallet i vdekur, nëse në afat prej tri vitesh nga dita e zhdukjes apo pas mbarimit të luftës, nuk ka kurrfarë informate apo lajmesh se ai është gjallë.

Kërkesën për shpalljen e një të zhdukuri si të vdekur kanë të drejtë ta bëjnë familjarët e tij apo edhe personat e tjerë, që kanë ndonjë interes nga kjo çështje si dhe vetë prokurori publik.

Njëri nga gjykatësit e GJTH-së, që preferoi te mbetet anonim, tha se ka pasur edhe raste të mospajtimeve në mes të familjarëve rreth inicimit të procedurës.

Sipas ligjit, me një procedurë të shpejtë, vetëm me dëshminë e një dokumenti se i njëjti është gjallë, aktvendimi i mëparshëm për shpalljen e tij si të vdekur, shfuqizohet./GazetaePrizrenit/