Publikohet edhe një tjetër sondazh-dëshmohet rënia e LVV-së
UBO Consulting ka publikuar rezultatet e fuqive partiake pas zgjedhjeve të fundit paralamentare në Kosovë.
Në një sondazh të cilin e ka publikuar Gazeta Express rezulton se LVV-ja është nën 40 për qind. PDK vazhdon të jetë e dyta, ndërsa LDK e treta.
Siç shkruhet nga të anketuarit 35.8 për qind janë përgjigjur se do ta votonin LVV-në në zgjedhjet e ardhshme. Kur shpërndahet përqindja e atyre që refuzojnë të përgjigjen dhe e atyre që janë të pavendosur, LVV-ja del se do t’i merrte 39.6 për qind.
Lexo edhe:
A ka deklarata të rrejshme nga aplikantët për drejtorë e zv/drejtorë shkollash në Prizren?
Në mars, në matjet që UBO Consulting i kishte kryer për mediumin LVV-ja kishte dalë te 41.9 për qindëshi.
Partia Demokratike, në matjet e kryera, del e dyta. 19.8 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se do ta votonin PDK-në nëse zgjedhjet mbahen këtë të diel. Me vota të deklaruara, PDK-ja del se do të merrte 21.9 për qind të votave.
E treta, si në zgjedhjet e 14 shkurtit, është akoma LDK-ja, që tash udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku.
Në matjet e fundit, LDK-ja del se do të merrte 18.4 për qind të votave. Kur shpërndahet përqindja e të padeklaruarve, përqindja e LDK-së është te 20.3.
Këtu është përfshirë edhe partia e themeluar nga Presidentja Vjosa Osmani. E ndarë nga LVV-ja, lista “Guxo” del se do të merrte 1.3 për qind të votave, sipas këtyre matjeve.
Aleanca e Ramush Haradinajt ka dalë se do të votohej nga 6.7 për qind e të anketuarve.
Nëse zgjedhjet do të mbaheshin së shpejti, sipas matjeve, as një për qind të votave s’do të merrnin Alternativa, AKR-ja dhe PSD-ja.
Nisma Socialdemokrate, në këtë sondazh del se do të merrte 1.9 për qind të votave.
Rezultatet e zgjedhjeve të fundit – 14 shkurt, 2021
Në zgjedhjet e fundit nacionale, LVV-ja e kishte marrë saktësisht atë që dëshironte. Rezultati përfundimtar e nxori atë të parën me mbi 50 për qind. 49 për qindëshin tjetër ua kishte lënë të gjitha partive të tjera bashkë.
Në këto zgjedhje, PDK-ja doli e dyta me 17 për qind.
Derisa LVV-ja po shënonte rezultatin më të thellë ndonjëherë në zgjedhje, LDK-ja doli me më së paku vota në historinë e saj.
LDK-ja që atëherë udhëhiqej nga Isa Mustafa mori 12.7 për qind të votave. Ndërkaq, AAK-ja kishte marrë 7.1 për qind të votave.