Publikohet propozim-karta e qytetit të Prizrenit
Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka hartuar një propozim të Kartës së Qytetit të Prizrenit, i cili do t’u prezantohet autoriteteve komunale për shqyrtim dhe miratim e zbatim.
Karta e Qytetit si akt ka për qëllim që të promovojë dhe fuqizojë të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët e Komunës së Prizrenit, në kuadër të menaxhimit të përgjithshëm të qytetit.
“Ajo parashihet që të zbatohet në raport me të gjithë qytetarët, pa diskriminim, në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore të Komunës së Prizrenit. Njëkohësisht zbatimi i të drejtave të përshkruara në këtë Kartë paraqet vetëm një instrument plotësues dhe përforcues për të drejtat ekzistuese në nivel vendor dhe ndërkombëtar”, thuhet në një komunikatë të kësaj organizate.
Sipas saj, ky akt më shumë ka kuptimin e një deklarate të parimeve, që shërben si mjet për reformimin urban, duke përqafuar praktikat e qeverisjes së mirë dhe të gjithëpërfshirjes, si dhe aktivizmin qytetar.
Pos dispozitave për të drejtat mbi qytetin e Prizrenit, propozimi në fjalë përmban edhe mekanizmat e zbatimit të Kartës së Qytetit./k.net