18-10-2026

Nëna e zgjoi për të shkuar te dentisti, djali kthehet i nervozuar dhe thyen dyert e shtëpisë – Policia gjen thika e elektroshok

Një vizitë e planifikuar te dentisti ka përfunduar me një incident të rëndë familjar në Graçanicë, ku një i ri dyshohet se ka shkaktuar dhunë psikologjike ndaj nënës së tij dhe dëme në shtëpi, ndërsa gjatë kontrollit policor janë gjetur edhe dy thika dhe një pajisje elektroshoku.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 17 tetor, ndërsa rasti është raportuar në Polici rreth orës 13:30.

Sipas deklarimit të viktimës, N.R., ajo e kishte zgjuar djalin e saj, V.R., për të shkuar te dentisti. Mirëpo, për shkak të vonesës, dentisti nuk e kishte pranuar për vizitë.

Pas kthimit në shtëpi, i riu dyshohet se ka reaguar me nervozizëm, duke bërtitur, shqetësuar nënën dhe dëmtuar dyert e shtëpisë.

Pas denoncimit, në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë njësitë patrulluese dhe hetimore, të cilat e kanë shoqëruar të dyshuarin në Stacionin Policor në Graçanicë.


Gjatë kontrollit të dhomës së tij, Policia ka gjetur dy thika dhe një pajisje elektroshoku, të cilat janë evidentuar në kuadër të hetimeve.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurave për tri vepra penale: “Dhunë në familje”, “Dëmtim i pasurisë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Me vendim të prokurorit, V.R. është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.

Asnjë koment

Comments are closed.