23-11-2024

Qendra rajonale e trashëgimisë kulturore reagon për punimet në Urën e Arastës në Prizren

Qendra rajonale për trashëgimi kulturore në Prizren (QRTK) ka reaguar për punët të cilat po kryhen në zonën historike, siç thuhet pa lejen e institucioneve përgjegjëse të trashëgimisë kulturore në Prizren

 

Pas njoftimit të shumë qytetarëve dhe shqetësimit të tyre për intervenimet që janë duke u ndërmarrë në Qendrën Historike të Prizrenit, respektivisht në Sheshin Shatërvan (në urën e Arastës dhe pranë saj) bashkëpunëtorët profesional të QRTK-së kanë dalë në terren dhe kanë identifikuar punime në lokacionin e lartcekur.

Në reagimin e QRTK-së, thuhet se lidhur me këto intervenime, QRTK-ja nuk është e informuar se nga kush kryhen këto intervenime dhe se sa do të jetë zona i intervenimeve.

“Duke u bazuar në detyrimet dhe përgjegjësitë ligjore që dalin nga Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit, kërkojmë nga Komuna e Prizrenit dhe drejtoria përkatëse, që të na sillni një hartë apo skicë, ku paraqiten vendet ku do të ketë ndërhyrje të tilla dhe planin detal se çfarë intervenime do të ketë”, thuhet në reagim.

Më tej thuhet se duke u bazuar në këtë njoftim dhe duke i marrë si bazë këto intervenime, i bëjmë thirrje Komunës së Prizrenit që në të ardhmen të ketë kujdes të veçantë për Qendrën Historike të Prizrenit.

 

“Të respektoj në përpikëri obligimet që dalin nga Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit, duke kërkuar pëlqim për çdo ndërhyrje dhe punë që kryen në Qendrën Historike të Prizrenit”, thuhet në reagim.

 

Asnjë koment

Comments are closed.