19-04-2024

Qendrat e Dializës në Rahovec e Suharekë nuk funksionojnë

Edhe pse është e pajisur me aparaturat më moderne, të cilat nuk i kanë as spitalet rajonale në vend, Qendra e Hemodializës në komunën e Rahovecit qe më shumë se një vit nuk është në funksion. Përndryshe, Reparti i Hemodializës në Suharekë, i cili ka filluar të ndërtohet në vitin 2013 e po ashtu i pajisur me aparatura, vazhdon të mos funksionojë, shkruan gazeta “Zëri”.

Qytetarët e komunës së Rahovecit e ata të Suharekës vazhdojnë të mos marrin shërbimin e hemodializës në komunën e tyre, edhe pse repartet për këtë shërbim tashmë me vite janë të pajisura me aparaturat më moderne, të cilat nuk i ka as Qendra Klinike Universitare e Kosovës e as spitalet rajonale. Ndonëse rreth 200 mijë euro nga buxheti i Komunës së Rahovecit ishin ndarë në fund të vitit 2017 për funksionalizimin e Qendrës së Hemodializisës, kjo qendër edhe sot e kësaj dite nuk ofron shërbime për qytetarët e saj, andaj edhe pacientët detyrohen që të kërkojnë trajtim në Spitalin e Prizrenit. Gjithsej projekti për Qendrën e Hemodializës në këtë komunë kishte kushtuar rreth 307 mijë euro, ku rreth 167 mijë euro ishin ndarë nga buxheti i Komunës, ndërsa pjesa tjetër kishte qenë donacion, shkruan gazeta “Zëri”.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Rahovecit, Samir Mustafa, ka thënë për “Zërin” se për shkak të disa problemeve teknike, si dhe mungesës së stafit kjo qendër nuk është funksionalizuar deri tani. Ai ka thënë se në këtë komunë 42 pacientë kanë nevojë për hemodializë, por që të cilën deri tani e kanë marrë në Spitalin e Prizrenit. “Diku rreth 307 mijë euro ka kushtuar investimi që është bërë aty. 167 mijë euro ka investuar Komuna e Rahovecit, pjesa tjetër ka qenë donacione. Kanë qenë disa probleme teknike, për shkak të të cilave ajo nuk është funksionalizuar, ka pasur edhe mungesë të stafit adekuat. Spitali Regjional i Prizrenit disa herë e ka shpallur konkursin për nefrologë specialistë, por ata nuk kanë konkurruar.

Ne nuk kemi mundur ta hapim atë repart pa e pasur një staf profesional”, ka thënë ai. Mustafa ka bërë të ditur se tashmë projekti për këtë qendër është në fund, andaj edhe pritet që ajo së shpejti të funksionalizohet. “Unë e kam pranuar një raport nga një komision për verifikimin e punimeve që janë bërë deri tani. Thuajse punimet 99 për qind janë kryer, mirëpo presim edhe disa punë të vogla teknike. Para dy javësh është pranuar një mjek specialist. Ne jemi në fazën përfundimtare të përgatitjes së objektit, salla është e gatshme e aparatura është. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me shefin e Repartit të Hemodializës në Prizren dhe besojmë që shumë shpejt bashkë do të dalim me një konkludim përfundimtar se kur mund t’i ofrojmë këto shërbime për qytetarët e komunës së Rahovecit”, ka theksuar ai.

Përndryshe, asamblisti nga ana e LDK-së në këtë komunë, Faton Ramadani, ka thënë për gazetën se vazhdimisht e kanë shtruar çështjen e funksionalizimit të kësaj qendre.

Suhareka me aparatura moderne për dializë, por nuk jep shërbime

Përveç Qendrës së Hemodializës në Rahovec, edhe Qendra e Hemodializës në Suharekë tashmë është lënë në haresë. Në Komunën e Suharekës ndërtimi i Repartit të Hemodializës kishte nisur në vitin 2013, derisa për këtë repart nga Franca kishin marrë si donacion edhe aparaturat e nevojshme për dializë.

Megjithatë Reparti i Hemodializës vazhdon të jetë edhe më tej jofunksional. E kjo gjë po kritikohet nga asamblistët e kësaj komune.

Nexhat Ramadani, asamblist nga radhët e LDK-së, ka thënë për “Zërin” se funksionalizimi i kësaj qendre kishte qenë premtim i kryetarit të kësaj komune, por një gjë e tillë ende nuk është realizuar.

Ai ka thënë se si opozitë kishin pasur dyshime se dhënia e një shërbimi të tillë në këtë komunë do të mundë të realizohej. “Ky ka qenë një prej premtimeve të kryetarit për të cilin ne si opozitë kemi pasur dyshimet tona, sepse krijimi i Repartit të Dializës kërkon kushte të veçanta. Kjo ka rezultuar me atë që kjo gjë nuk është realizuar dhe sot nuk është funksionale ajo. Është diskutuar disa herë në asamble dhe gjithmonë është marrë me skepticizëm që kjo gjë mund të realizohet. Sot po bëhet një politikë më shumë populiste e jo e sinqertë vetëm për të hutuar njerëzit, pa bërë analizë dhe pa qenë të sinqertë se mund të realizohet kjo ose jo”, ka thënë ai. Ramadani ka thënë se një nga arsyet e mosfunksionimit të Repartit të Hemodializës në këtë komunë ka qenë personeli mjekësor, shkruan gazeta “Zëri”.

 

Asnjë koment

Comments are closed.