Qëndroi ulur kur Kurti hyri në zyrën ku ndodhej edhe O’Brien, Rama flet për fotografinë që u bë virale dje
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur lidhur me fotografinë që u bë dje virale, ku ai shihej duke qëndruar ulur kur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, hyri në një zyre ku Rama po qëndronte me zëvendësndihmës sekretarin amerikan, James O’Brien dhe të dërguarin e Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz.
Rama ka sqaruar se në atë zyre nuk ishte takimi i parë me Kurtin, pasi që ishin takuar më herët dhe se fotografia nuk kishte kuptimin që mori.
“Tash kjo është koha ku jetojmë dhe një fotografi e cila shkëputet nga konteksti edhe qarkullon në të katër anët dhe merr pastaj kuptime disproporcionale që nuk janë të lidhura me realitetin. Faktikisht, unë isha takuar më para me kryeministrin, pra nuk ishte ai takimi i parë. Aty ishte një situatë që njerëzit lëviznin…pra nuk kishte atë kuptim që mori”, ka deklaruar Rama.
Kurti është parë duke biseduar me pas me O’Brien, Ramën dhe Troccaz.
Ndryshe, nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”, dje në Mal të Zi liderët e rajonit bashkë me përfaqësuesit e BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë nisur diskutimin për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.