Qeveria mban mbledhje, merr vendim për Lidhjen Hekurudhore Durrës-Prishtinë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar dy vendime.

Me vendimin e parë është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëfinancimit për Studimin e Fizibilitetit dhe Projekt-Idesë për Lidhjen Hekurudhore Durrës-Prishtinë. Qëllimi i kësaj marrëveshje është përcaktimi i procedurave dhe ndarja e kostove ndërmjet palëve për financimin e Studimit të Fizibilitetit të këtij projekti, gjegjësisht për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ndërsa vendimi i dytë i miratuar në këtë mbledhje, ka të bëjë me Projektin “Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit”, për autorizim të Ministres së Ekonomisë nga Presidentja e Republikës së Kosovës për nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëfinancimit dhe Marrëveshjes për implementimin e Projektit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC). Qeveria e Republikës së Kosovës ka përfunduar me sukses negocimin e Marrëveshjes së Bashkëfinancimit dhe Marrëveshjes për Implementimin e projektit “Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit”. Objektivi kryesor i këtij projekti është sigurimi i stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në Kosovë dhe tranzicioni në energji më të pastër në të ardhmen. Objektiv tjetër i projektit është dhe ndërtimi i kapaciteteve në fushën e energjisë dhe ngritja e punësimit të grave në këtë fushë.