19-04-2024

Qytetarët të cilët marrin kursimet prej 10 për qind nga Trusti nuk do të kompensohen nga Qeveria

Qeveria e Kosovës në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike pas pandemisë COVID-19 që ishte prezantuar në Programin Qeverisës 2020-2023, kishte thënë se do të bëhej e mundur përdorimi i një përqindjeje të mjeteve financiare të kursyera në Trust.

Masa e pestë e kësaj pako parashikonte stimulimin e kërkesës agregate që ka për qëllim rritjen e shpenzimeve të konsumatorëve.

“Kthimi i një përqindjeje të mjeteve të kursyera në Trustin Pensional për kontributpaguesit, bazuar në nevojat e tyre, e cila mundësi mund të shfrytëzohet për një periudhë 3-mujore, e cila shumë kompensohet nga shteti brenda pesë viteve”, thuhet në masën e pestë të kësaj pakoje, përcjell Telegrafi.

Mirëpo, Ministria e Financave njofton qytetarët e nuk do të kompensohet shuma e tërhequr nga Trusti.

“Ministria e Financave njofton qytetarët e Kosovës se Qeveria e Kosovës në kuadër të programit për rimëkëmbjen ekonomike e ka paraparë edhe tërheqjen e 10 për qind të kursimeve nga Trusti i Pensioneve. Mirëpo, qytetarët të cilët bëjnë tërheqjen e 10 për qind nuk do të kompensohen nga Qeveria për shumën e tërhequr”, thuhet në reagimin e MF-së.

Tërheqja e kursimeve pensionale nga qeveria për Pakon e Rimëkëmbjes, Keqa: Është në kundërshtim me filozofinë e investimit

Tërheqja e kursimeve pensionale nga qeveria për Pakon e Rimëkëmbjes, Keqa: Është në kundërshtim me filozofinë e investimit

Lidhur me këtë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kishte thënë se do të kërkohet ndryshimi i Ligjit për Fondet Pensionale me qëllim që bëhet e mundur një gjë e tillë.

“Pjesë e masës së Rimëkëmbjes Ekonomike, e kemi që të kthejmë tek kontribuuesit një pjesë të mjeteve në Trust. Le të themi që një qytetar ka të kursyera një pjesë, ku përmes ligjit dhe përkrahjes së deputetëve në Kuvendin e Kosovës, do të mundësojmë që t’i kthejmë një pjesë të madhe, së paku një 10 përqindësh të atyre mjeteve te kontribuuesi në mënyrë që ata t’i kenë për shpenzime të përditshme, që është rreth 170 milionë euro deri 200 milionë euro që kanë kontribuar në fond. Do të kërkojmë nga Kuvendi që të ndryshohet ligji, i cili na mundëson që një pjesë e kontributeve të kthehet në xhirollogari të kontribuueseve”, kishte thënë Hoti në një intervistë për televizionin publik të Kosovës.

Ndërsa, njohësi i çështjeve financiare dhe ish-anëtari i Bordit të Trustit, Flamur Keqa, për Telegrafin kishte thënë se, prekja e kursime është në kundërshtim me filozofinë e investimit të kontributeve pensionale.

Sipas tij, qeveria dëshiron të vendos për pronën private të qytetarëve.

“Mundësia për të realizuar tërheqjen e një pjese të kontributeve të kursimeve individuale nga investime aktuale me legjislacionin në fuqi është i pamundur. Kjo mund të realizohet vetëm përmes ndryshimeve të ligjit edhe pse ky modalitet pak a shumë është në kundërshtim me filozofinë e investimit të kontributeve pensionale. E keqja me e madhe është se kontribuuesit pensional nuk janë pyetur as për formën e investimeve aktuale e sipas gjasave nuk do të merret opinioni i tyre as për këtë modalitet”, tha Keqa.

Ai kishte shtuar se kjo pjesë në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike është një segment i vogël i mbështetjes.

“Ideja e investimit te kontributeve pensionale në tregjet financiare është gjenerimi i të hyrave shtesë për pensionistët. Prandaj , propozimi i qeverisë nuk është shtjelluar ende mjaftueshëm për opinionin për t’u vlerësuar komprometimi eventual i fitimit dhe sigurisë se mjeteve të kontribuuesve pensional. Do jetë interesant që të shpalosen përvojat e shteteve të marra si mostër edhe pse rezultati nuk mund të vlerësohet për shkak se ndoshta as nuk është filluar me zbatimin e saj. Thelbi është që qeveria dëshiron të vendos për pronën private të qytetareve. Për shkak të ndoshta mos shtjellimit të duhur për publikun nuk e shoh që ky veprim të jetë pjesë e Pakos së Rimëkëmbjes edhe pse padyshim që futja në treg të fondeve shtesë financiare private do të rriste kërkesën agregate dhe rrjedhimisht edhe ofertën në treg. Megjithatë për Pakon e Rimëkëmbjes kjo do të duhej të paraqiste dhe realisht paraqet një segment të vogël mbështetje”, shtoi ai.

Në kuadër pakos për financimin e masave, pritet që të përdoren 170 milionë euro kthime të kursimeve pensionale për kontributpaguesit nga Fondi i Kursimeve Pensionale. /Telegrafi

Asnjë koment

Comments are closed.